Daçiq: Serbia duhet të bëjë gjithçka për të mbrojtur pronën e saj në Kosovë dhe Metohi

Serbia pa dyshim se do të mbrojë interesat e saja nacionale dhe shtetërore. Kështu ka deklaruar të shtunën, zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, duke reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Kosovës për ligjin për Trepçën.

Në një deklaratë për mediumin serb “Kurir”, Daçiq ka thënë se ka marrë vesh që Marko Gjuriq, i ashtuquajturi shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, do të kërkojë nga Qeveria në mënyrë që kjo e fundit të kërkojë thirrje të një seance të Këshillimit të Sigurimit të OKB-së.

“Kjo do të thotë se në mbledhjen e Qeverisë, kjo temë do të diskutohet. Përderisa kjo të jetë kështu, do t’i drejtohemi KS të OKB-së për të thirrur një seancë urgjente. Ne kemi të drejtë për këtë, mes tjerash, edhe sepse Kosova dhe Metohija është nën Rezolutën 1244”, ka thënë Daçiq, transmeton Koha.net.

I pyetur nëse Serbia do t’ia del që të mbrojë “pronën e saj”, ai është përgjigjur se “duhet të provojmë të bëjmë gjithçka”.

“Pyetja është se a do t’ia dalim që përmes kësaj seance të KS të OKB-së t’i bëjmë të gjitha, por mbi të gjitha është me rëndësi që të mbajmë kokën e ftohur dhe të jemi të arsyeshëm. Shumë herë edhe kryeministri ka folur për atë se jemi të vetëdijshëm se çfarë është duke ndodhur, se me çfarë presionesh po përballemi e çfarë ultimatumesh na japin. Ky është rasti i parë që dikush, në këso mënyre, t’i drejtohet problemeve të ndërlidhura me Kosovën”, ka shtuar zëvendëskryeministri serb, Daçiq.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës, me një shumicë votash, mbrëmë pas mesnate ka miratuar Ligjin për Trepçën, përmes së cilit Qeveria e Kosovës dhe punëtorët e Trepçës ndajnë pronësinë në 80:20.

Be the first to comment

Leave a Reply