Gjetan Keta nuk ndalet, mundi Vasilj Sarbajev

Mike Gjetan Keta nuk di të ndalet. Boksieri shqiptar fitoi bindshëm duelin e tij përballë boksierit Kazak Vasilj Sarbajev në Mynih të Gjermanisë ku përballja mes tyre ishte kulmi i mbrëmjes së Keta Fight Klub

Ishte një duel mjaft i zjarrtë ai mes dibranit dhe boksierit kazak, në një dyluftim mjaft të ashpër ku Sarbajev me inteligjencën e tij u shfaq mjaft i rrezikshëm, ndërsa Gjetani falë këmbënguljes dhe forcës së vullnetit arriti të triumfonte në raundin e fundit, duke marë fitoren me pikë me vendim unanim të jurisë, shkruan Top Channel.

Për Mike Gjetan Ketën ky ishte më tepër një takim përgatitur për përballjen e madhe të 3 dhjetorit, kur boksieri shqiptar do të ndeshet me boksierin gjerman i cili ka fituar dy herë titullin botëror Vincent Feigenbunz, një përballje e madhe dhe e shumëpritur për të cilën Gjetani po tregon se është në lartësinë e duhur për një tjetër fitore të madhe.

Fitorja e Mike Gjetan Keta rezultoi qershia mbi tortë, pasi edhe dy boksierët e tjerë të Keta Fight Klub dolën triumfues përballë kundërshtarëve respektivë.

Kristian Prenga që ngriti peshë zemrat e tifozëve shqiptarë pak muaj më parë në Tiranë, dhuroi një tjetër provë force duke fituar me “knock out” në raundin e dytë përballë bosnjakut, Haris Radmilovic.

Triumfues ishte dhe Ferit Kerta i cili dhuroi emocione të veçanta në një dyluftim të zjarrtë përballë serbit Zejlko Bojov, me boksierin shqiptar që i karikuar në maksimum shfaqi potencialin e tij me një “knock out” spektakolar duke e hedhur serbin në tapet që në raundin e dytë, për kënaqësinë e veçantë të tifozëve shqiptarë.

Be the first to comment

Leave a Reply