Trepça synon fitoren e parë në Ligën Ballkanike

MITROVICASIT SOT JANË NIKOQIRË TË KARPOS SOKOLI-T NGA MAQEDONIA

Për „minatorët“, ky është edicioni i parë në BIBL

„Do të jetë një ndeshje e fortë dhe ne nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi përballë Karpos-it, pasi besoj se me përkrahjen maksimale të tifozëve tanë do të japim maksimumin për t’i bërë rezistencë kundërshtarit“, është shprehur Neven Plantak, trajner i KB Trepçës, shkruan vskmedia!

Trepça të martën është nikoqire e skuadrës nga Shkupi, Karpos Sokoli 2000 në kuadër të xhiros së dytë të Grupit B në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL). Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 19:00, në palestrën e sportit „Minatori“ në Mitrovicë. Mitrovicasit në takimin e parë në kuadër të BIBL-it të luajtur javën e kaluar kanë pësuar disfatë si mysafirë nga Tirana, kurse kundërshtari i Trepçës në xhiron e parë është mundur nga Sutjeska e Nikshiqit të Malit të Zi me shifrat 94:60. Të dyja ekipet pas disfatave në start të BIBL-it do të kërkojnë fitoren, por Trepça e ka përparësinë e terrenit vendas, ku synon që më përkrahjen e tifozëve të tyre të flaktë „Torcida“ në fund edhe të regjistrojë fitoren e parë në këtë ligë.

Plantak i falet „Torcidës“ 

Trajneri i Trepçës, Neven Plantak është shprehur optimist në prag të ballafaqimit me Karpos Sokoli-n, duke shtuar se beson se me mbështetjen e „Torcidës“ do t’ia dalin të realizojnë fitoren e parë në kuadër të kësaj lige. „Do të jetë një ndeshje e fortë dhe ne nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi përballë Karpos-it, pasi besoj se me përkrahjen maksimale të tifozëve tanë do të japim maksimumin për t’i bërë rezistencë kundërshtarit. E rëndësishme është se do të japim gjithçka nga vetja në këtë ndeshje të rëndësishme, që njëherësh është e para si vendas në Ligën Ballkanike“, ka deklaruar Plantak. Duhet theksuar se në Superligën e Kosovës, Trepça nga dy ndeshje të zhvilluara ka po aq fitore të realizuara, kundër Vllaznimit dhe Golden Eagel Yllit. Ballafaqimin e vërtetë në kuadër të elitës së basketbollit kosovar, mitrovicasit do të kenë në këtë fundjavë, kur e presin Pejën në „Minatori“.

Be the first to comment

Leave a Reply