Mourinho paralajmëron Pogban dhe Ibrahimovicin

Jose Mourinho nuk impresionohet nga emrat e mëdhenj, për të rëndësi ka ajo çfarë bën në fushën e lojës dhe nga ky qëndrim nuk bëjnë përjashtim as Paul Pogba apo Zlatan Ibrahimovic.

Trajneri portugez thekson se nuk do ta ketë aspak problem t’i ulë në pankinë dy yjet e tij nëse do ta shikojë të nevojshme.

Dy emrat më të lakuar të merkatos së Manchester United ishin edhe ndër më të kritikuarit pas sfidës së “Anfield”.

Francezi që u transferua për rreth 100 milionë Euro nga Juventusi numëron vetëm një asist në 9 ndeshje duke ngritur pikëpyetje të mëdha.

Në krahun tjetër, suedezi ka shënuar vetëm një gol në 7 ndeshjet e fundit të kampionatit. “Special One” thekson se në ekipin e tij nuk ka të paprekshëm.

“I paprekshëm në ekipin tonë duhet të jetë shpirti i vetësakrifikimit, krenaria dhe përkushtimi ndaj klubit e respekti ndaj fansave. Kjo është e paprekshme, jo lojtarët”.

Gjithsesi, Mourinho e pranon se Ibrahimovic ka një influencë të madhe në skuadër ku ai konsiderohet një simbol.