Tmerr për atletikën!

ATLETËT KOSOVARË ENDE NUK KANË SHTEG PËR GARA

Nuk do të dorëzohen sa i përket shtegut në stadiumin e Prishtinës

Edhe pse të pranuar ndërkombëtarisht, atletët kosovarë ende nuk kanë shteg të atletikës. Stadiumi i Mitrovicës nuk i plotëson kushtet, kurse ai i Prishtinës mund të mbetet pa shteg pas rekomandimeve të UEFA-s. Kryetari i Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani, thotë se kjo që po ndodh është tmerr. Ai shton se për fajin e të tjerëve po pëson  ‚Mbretëresha‘ e sporteve

Pas pranimit në arenën ndërkombëtare, infrastruktura mbetet problemi kryesor i sportit kosovar. 17 vjet pas luftës dhe tetë vjet pas Pavarësisë së Kosovës, infrastruktura ka mbetur ‚thembra e Akilit‘. Madje, ka sporte që nuk kanë as kushte elementare. Kështu është në ‚Mbretëreshën‘ e sporteve. Atletët kosovarë vazhdojnë të ballafaqohen me shumë probleme. Shtegu i atletikës në stadiumin e Mitrovicës, edhe pas renovimit, nuk i plotëson kushtet, kurse stadiumi i Prishtinës, që është duke u rinovuar, mund të mbetet pa shteg, pas rekomandimeve nga ana e zyrtarëve të UEFA-s.

Kosova s’ka kapacitete për stadium të veçantë të atletikës

Kryetari i Federatës së Atletikës të Kosovës, Halil Sylejmani, ka thënë se nuk do të dorëzohen sa i përket shtegut në stadiumin e Prishtinës. „Ne nuk kemi marrë asnjë informatë sa i përket kësaj çështje se në stadiumin e Prishtinës nuk mund të ketë shteg të atletikës. Ka pasur disa vërejtje, por nuk është marrë vendimi që në stadiumin e Prishtinës nuk duhet të ketë shteg të atletikës. Kosova nuk ka kapital që të ndërtojë një shteg të posaçëm të atletikës siç kanë vendet tjera, si Gjermania e shtetet tjera. Brenda mundësive dhe kushteve tona duhet të punojmë. Nuk do të dorëzohemi sa i përket kësaj çështje. Shtegu i atletikës nuk ka lidhje me atë të futbollit dhe nuk e shoh se çfarë problemi po i shkakton ky shteg stadiumit të Prishtinës“, ka thënë Sylejmani

Dikush po përfiton në këtë situatë të krijuar 

Shtegu i Mitrovicës, i lënë gungagunga, i ka shkaktuar më shumë telashe, atletëve, që tashmë në këtë stadium nuk mund të zhvillojnë gara, por vetëm të stërviten. „Ne po pësojmë ’sherri‘ i të tjerëve. Këto punime është dashur të përfundojnë shumë më herët, kurse ne tashmë jemi duke pësuar. Klubet mund të stërvitin, por në këtë shteg nuk do të ketë gara. Nuk ka qenë e nevojshme që punimet të zgjasin me muaj e me vjet dhe në fund të mos jenë të shfrytëzueshme për garuesit. Ndoshta edhe dikush po përfiton në gjithë këtë situatë të krijuar. Ndoshta edhe dikujt po iu konvenon kjo situatë. Ne jemi në një pozitë shumë të keqe dhe po pësojmë faji i të tjerëve. Kjo që po ndodh është tmerruese. Ne ende nuk kemi shtigje të atletikës që i plotësojnë standardet evropiane“, përfundoi Halil Sylejmani.