Debakël i Prishtinës, debutim me humbje për Pejën

FIBA Europe Cup, nivel krejt tjetër për klubet kosovare

Sigal Prishtina dhe Peja startuan me humbje në edicionin e ri 2016/17 të FIBA Europe Cup, në ndeshjet e luajtura të mërkurën, ndërsa edhe tjetra skuadër kosovare, Bashkimi, mbrëmë ka regjistruar humbje dhe prizrenasit e kanë regjistruar disfatën e dytë radhazi në Ligën Ballkanike

Sigal Prishtina ishte kafshatë e lehtë për skuadrën nga Stambolli, Demir Insaat, pasi kjo e fundit e ka deklasuar me rezultat 100:58 (26:10, 30:18, 22:17, 22:13) që në xhiron e parë të Grupit H në FIBA Europe Cup. Për Prishtinën kjo është disfata e katërt radhazi në të gjitha garat ku merr pjesë, pasi bardhekaltrit në Superligën e Kosovës kanë regjistruar dy humbje radhazi, së pari nga Bashkimi dhe më pas nga Peja, ndërsa në ndërkohë janë mundur edhe në Stara Zagora të Bullgarisë nga Beroe në xhiron e parë të Grupit A në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL). Njëherësh ky është edhe starti më i dobët i Prishtinës ndoshta që nga paslufta. Më efikasi te Prishtina ishte Bojan Trajkovski me 18 pikë, kurse te Demir Insaat më i dalluari ishte Angelo Caloiaro me po ashtu 18 pikë të realizuara. Ndeshjen e radhës në këtë garë kryeqytetasit do ta luajnë si vendas ndaj Rilski Sportist nga Bullgaria, më 26 tetor, me fillim nga ora 20:30

Peja u mbajt mirë deri në dhjetëminutëshin e fundit

Ndërkohë Peja është mbajtur mirë në ndeshjen e parë debutuese në FIBA Europe Cup, pasi verdhezinjtë të mërkurën mbrëma në Rumani janë mposhtur nga Cluj-i në kuadër të Grupit G të kësaj gare. Rezultati në fund shënonte 85:76 (22:18, 15:22, 19:21, 29:15). Çereku i katërt ka qenë fatal për Pejën, atëherë kur nikoqirët e treguan fytyrën e vërtetë dhe kështu para adhuruesve të vet startuan në FIBA Europe Cup me fitore. Koshashënuesi më i mirë te Peja ishte Austin Tillotson me 10 pikë, 10 kërcime e 4 asistime, kurse te Cluj-i më i dalluari ishte Kyndall Dykes me 27 pikë. Verdhezinjtë ndeshjen e radhës në FIBA Europe Cup do ta luajnë si nikoqirë më 26 tetor me fillim nga or 19:30 kundër AEK Larnaca nga Qipro.

Bashkimit nuk i mjaftoi loja e mirë vetëm në çerekun e katërt 

Për ta vazhduar serinë e humbjeve të ekipeve kosovare në gara ndërkombëtare, të mërkurën është përkujdesur Bashkimi nga Prizreni, e cila skuadër është mundur nga Kumanova në kuadër të xhiros së dytë të Grupit A në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike. Takimi ka përfunduar me rezultat 86:83 (22:16, 26:22, 23:13, 15:32) për mysafirët, të cilën kanë dominuar në 30 minutat e para të ndeshjes, derisa në 10 minutat e fundit prizrenasit u munduan maksimalisht, por nuk ia dolën që ta regjistrojnë fitoren e parë në këtë garë, pasi edhe një javë më parë janë mposhtur nga Kozuv-i në Gjevgjeli të Maqedonisë. Më të dalluarit te Kumanova ishin Miladin Pekoviq me 21 pikë e Aleksandar Kostoski me 20 pikë, 7 kërcime e 5 asistime, kurse te Bashkimi koshashënuesit më të mirë ishin Kejuan Johnson me 25 pikë, 7 asistime e 6 kërcime dhe Gazmend Sinani me 15 pikë e 10 kërcime. Prizrenasit duelin e radhës në kuadër të BIBL do ta luajnë javën e ardhshme kundër Beroe-s në Stara Zagora.