Hendbolli ne krizë ka mbetur prapa!

Prishtinën e ka kapluar kriza.

Megjithëse disa klube janë më të organizuara këtë edicion dhe ka më shumë konkurrencë, hendbolli i Kosovës ka mbetur prapa në krahasim me sportet tjera. Kështu thotë trajneri i mirënjohur, Taib Kabashi, i cili thekson se shumë pak po investohet, derisa ka shumë punë për t’u bërë që të tejkalohet kjo krizë.

Kur kanë kaluar shtatë javë në Superligën e Kosovës në hendboll, Besa Famiglia nuk po njeh kundërshtar dhe po vazhdon me dominim. Skuadra pejane ka shtatë fitore në po aq ndeshje të zhvilluara, kurse skuadrat e tjera kanë mbetur më prapa dhe nuk po arrijnë t’u bëjnë ballë kampionëve në fuqi të Kosovës. Tashmë, ‚lufta‘ e skuadrave të tjera është që të jenë sa më lart në renditje dhe të sigurojnë një vend për garat ndërkombëtare.

Disa klube janë organizuar më mirë Trajneri i mirënjohur i hendbollit kosovar, Taib Kabashi, thotë se disa klube janë organizuar më mirë këtë edicion.“Besoj se ka disa lëvizje pozitive. Trepça është skuadër më e organizuar këtë edicion, e po ashtu edhe Kastrioti, që ka traditë në hendbollin kosovar. Drita gjithashtu ka bërë disa përforcime, dhe vërehet se janë disa lëvizje. Konkurrenca është më e madhe, megjithatë, sa i përket titullit, Besa Famiglia duket e pakonkurrencë. Ndërsa Prishtina është në krizë dhe kjo është konfirmuar së fundi“, ka thënë ish-përzgjedhësi i Kosovës në hendboll. Ai tashmë drejton skuadrën e Trepçës, që synon ta rikthejë një ditë në maje të hendbollit kosovar, ashtu siç e meriton. Kabashi është i kënaqur me kushtet e ofruara dhe organizimin e klubit, si dhe tifozerinë. Ai pret që edhe në ndeshjen ndaj Drenicës të ketë shumë tifozë në ‚Minatori‘ të Mitrovicës, derisa derbi i kësaj xhiro do të zhvillohet të hënën ndërmjet Prishtinës dhe Besa Famiglias. Dikur kjo sfidë ishte një përballje e jashtëzakonshme, por tashmë pejanët kanë krijuar superioritet ndaj skuadrave tjera dhe synimi i prishtinasve është që t’i bëjnë sa më shumë ballë skuadrës kundërshtare. Prishtina gjithashtu ka pasur probleme të brendshme, duke filluar përgatitjet me vonesë, madje, hendbollistët kishin bojkotuar edhe ndeshjen e parë. Tashmë pritet që skuadra me nam e hendbollit kosovar të riorganizohet.

 

Munguan investimet, munguan tifozët Hendbolli kosovar në vitet e fundit ka pasur rënie të shikueshmërisë, kjo ndikuar edhe nga konkurrenca jo shumë e madhe për trofe. Mungoi rivaliteti dhe munguan tifozët. Kabashi shprehet se hendbolli ka mbetur prapa në krahasim me sportet tjera, përkatësisht futbollin dhe basketbollin. „Faktikisht hendbolli ka mbetur prapa futbollit dhe basketbollit. Kanë munguar investimet dhe kanë munguar tifozët. Më shumë tifozë ka pasur kur është zhvilluar pjesa finale, edhe pse nuk mund të ankohem për tifozët në Mitrovicë, pasi kemi traditë. Të gjithë duhet të punojmë më shumë në mënyrë që të ngrihet më shumë cilësia dhe hendbolli të rikthehet aty ku e meriton. Hendbolli në Kosovë ka traditë, megjithatë, në vitet e fundit ka mbetur prapa. Ndoshta ka ndikuar edhe rivaliteti që ka munguar në vitet e fundit, pasi Besa Famiglia ka qenë e pakonkurrencë për titull. Ndoshta kjo ka bërë që të ketë më pak tifozë në palestrat tona“, shtoi tutje trajneri, i cili ka punuar me dekada në hendbollin kosovar.