Trepça’89 feston, Besa larg misionit të saj

Rivaliteti për titull ngushtohet në tri skuadra

Fushat e përbaltura, që u panë këtë vikend, le të jenë edhe një mesazh për institucionet tona, që ta kthejnë kokën nga sportistët dhe t’u krijojnë kushte, ndryshe me këtë qasje ato po e rrezikojnë maksimalisht shëndetin e lojtarëve, pasi zhvillimi i një loje në fusha të tilla është shumë e dëmshme për një futbollist.

Besa përfundimisht mund të thuhet se i ka thënë lamtumirë luftës për titullin e kampionit, ani pse jemi vetëm në javën e 10-të të garave. Pejanët janë mposhtur dje në Mitrovicë nga Trepça’89, duke lejuar këtë të fundit tashmë të krijojë një diferencë prej 11 pikëve karshi saj, çka vërtet e bën pothuaj të pamundur misionin e Besës -titullin e kampionit. Në anën tjetër Trepça’89, me triumfin ndaj pejanëve, vulosi epitetin e skuadrës më të rrezikshme në elitë. Edhe pse shumëkush heziton të pranojë Trepçën ’89, si kandidatin kryesor në luftë për titull, ky ekip me performancën që po tregon dhe rezultatet e arritura, dita-ditë po e dëshmon forcën e saj, kështu që aspak befasi nuk do të ishte nëse në fund të garave e shohim këtë ekip duke e festuar titullin e kampionit. Ajo që na ra në sy në ndeshjet e javës së 10-të ishin kushtet e vështira për zhvillimin e ndeshjeve ku lojtarët përveç kundërshtarit u desh ta sfidonin edhe baltën, gjë e cila e vështirësonte maksimalisht performancën e tyre. Ky le të jetë edhe një mesazh për institucionet tona që ta kthejnë kokën nga sportistët dhe t’u krijojnë kushte për zhvillimin e aktiviteteve, ndryshe me këtë qasje ata vetëm sa po e rrezikojnë shëndetin e tyre, pasi zhvillimi i në lojë në fusha çfarë pamë këtë fundjavë, vërtet është për të ardhur keq dhe shumë e dëmshme për një lojtar.

Trepça’89, Prishtina e Feronikeli… Java e 10-të e Vala Superligës së Kosovës në futboll ka eliminuar disa skuadra, që më herët kishin paralajmëruar se do të luftojnë për titullin e kampionit. Tash pas 10 ndeshjeve të zhvilluara, tri skuadrat me rivalitetin më të madh në luftë përvendin e parë do të jenë Trepça’89, Prishtina e Feronikeli. Pa dyshim nëse mitrovicasit arrijnë ta mbajnë këtë ritëm, që e kanë tash deri në fund, atëherë askush nuk do t’i ndalë drejt kurorëzimit me sukses të garave. Mirëpo, nëse bazohemi në të kaluarën, mitrovicasit jo rrallë kanë dështuar në gjysmë të rrugës, kështu që mbetet të shihet si do të reagojnë këtë herë. Në anën tjetër, Prishtina e Feronikeli, pavarësisht se nganjëherë nuk po shfaqin siguri në lojën e tyre, ritmin e lojës vetëm sa po e po e rrisin dhe kjo është arsyeja që nga këto dy ekipe deri në fund të pritet shumë.

Pejanët larg objektivave Në futboll asnjëherë nuk duhet hequr dorë, derisa matematikisht ekzistojnë gjërat. Kjo thënie vlen për Besën, por që bazuar në performancën që po tregon, duket se qysh tash ky ekip është dorëzuar në luftë për titull. Humbja e djeshme në Mitrovicë nga rivali i drejtpërdrejtë për titull, Trepça’89, ka dhënë sinjale të qarta se Besa nuk është në nivelin e dëshiruar. 11 pikë larg vendit të parë në futbollin modern ndoshta nuk janë edhe të paarritshme kur ka kaq shumë ndeshje të pazhvilluar, mirëpo, në futbollin tonë vetëm mrekullia bënë që kjo diferencë të shkrihet. Këtë të diel përveç ndeshjes Trepça’89 – Besa që u mbyll me fitoren e vendasve, janë zhvilluar edhe dy takime të tjera. Llapi ka marrë një barazim në Ferizaj, duke ia rrezikuar kështu maksimalisht mbijetesën ferizajasve. Skuadra e drejtuar nga Arsim Abazi do ta ketë shumë vështirë ta ruajë statusin e tanishëm, derisa Llapi i sigurt dhe qetë po qëndro në pjesën e epërme të tabelës në pritje të rastit për të luftuar edhe për vendin e parë. Një hap shumë të rrezikshëm për mbijetesë ka bërë edhe Hajvalia, që u mposht nga Gjilani. Me këtë humbja Hajvalia vështirë se mund të mbijetojë sivjet, derisa Gjilani vazhdon të mbetet në mesin e tabelës.