Arthur Abraham kundër Robin Haxhi Krasniqi.

Arthur Abraham kundër Robin Haxhi Krasniqi. Dueli madhështor për peshat Super të Mesme mund të jetë një realitet shumë shpejt. Kampioni shqiptar, aktualisht numri 3 në renditjen e WBO në peshën e tij mund të zyrtarizojë shumë shpejt një duel mbi ring me boksierin e mirënjohur gjerman që numëron 50 ndeshje në karrierë, 45 prej të cilave me fitore. Përballja e mundshme e Robin Krasniqit me Abraham do të varet shumë nga dueli I datës 12 nëntor, që Abraham do të ketë me britanikun, Martin Murray. Nëse Abraham arrin të fitojë atë duel, atëherë hapet rruga e një dueli të mundshëm me Krasniqin, që do të jetë njëkohësisht dhe si një raund eliminator për t’u ndeshur më pas për gjerdanin e artë botëror të peshës Super të Mesme, me kampionin në fuqi Gilberto Ramirez, ndaj të cilit Abraham humbi 6 muaj më parë pas një vendimi unanim. Gjithsesi ndeshja me Abrahamin në rast se arrin të organizohet do të ishte një sukses I jashtëzakonshëm për Krasniqin, që vazhdon të konfirmohet si një prej emrave më të mëdhenj të ringut botëror duke u ndeshur gjithmonë me kampionë të mëdhenj.