Kampioni që nuk përkrahet nga askush!

Xhoxhaj mendon të boksojë për një shtet tjetër

 Boksi është njëri nga sportet më me traditë në Kosovë. KB Prishtina ka lënë gjurmë në ish-Jugosllavi, derisa boksierët kosovarë merrnin pjesë në Olimpiadë, siç ishte Aziz Salihu
Por, edhe pas luftës, ky sport ka pasur disa suksese në arenën ndërkombëtare. Boksierët kosovarë janë shpërblyer me medalje në garat ku kanë marrë pjesë, megjithatë, përkrahje institucionale ka qenë e vogël. Boksierët punojnë në kushte të rënda, ku nuk paguhen, madje nuk munden që as përgatitjet t’i zhvillojnë ashtu siç duhet. Ata nuk po e gëzojnë përkrahjen siç e meritojnë, kurse iu kanë lakmi sportistëve të vendeve të tjera, që stërvitin e kanë kushte optimale, duke mos munguar edhe përfitimet e mëdha.

Kushtet e rënda

Kampion i Kosovës në boks është Armend Xhoxhaj. Ai tregon se ky sport nuk përkrahet aq sa duhet dhe aq sa e meriton. „Po dihet që sporti në Kosovë nuk përkrahet aq sa duhet, po ashtu edhe në boks kushtet nuk janë të mira, pasi që nuk na përkrahin fare. Që shtatë vjet jam kampion në boks, kam qenë shpresë olimpike, por nuk kam mundur të kualifikohem për në Olimpiadë, arsyeja është që nuk na kanë mundësuar përgatitje e s’na kanë përkrahur fare“, ka thënë Xhoxhaj për „Kosova Sot“. Edhe boksierët e tjerë kanë treguar se rruga e tyre e suksesshme ka qenë shumë e vështirë. Donjeta Sadiku u shpall kampione evropiane në kategorinë e junioreve. Ajo ka rrëfyer se në përgatitje ka qenë me para të huazuara, e gjithashtu edhe në Evropian, ka shkuar me para të huazuara. Kjo tregon se me çfarë probleme ballafaqohen boksierët në vendin tonë. Kosova gjithmonë ka pasur boksierë të dalluar, por për shkak të kushteve të rënda, edhe në klube punohet më pak, kurse nuk ka shumë motiv për t’u marrë me këtë sport, pasi përfitimet janë të vogla. Nga Kosova kanë dalë edhe Luan e Haxhi Krasniqi, Elvir Muriqi si dhe Arnold Gjergjaj, që kanë pasur dhe kanë suksese në garat elitare ndërkombëtare.

Mund të braktisë Kosovën

Se sa e rëndë është gjendja në boksin kosovar, e tregon edhe kampioni i këtij sporti. Boksieri nga Prizreni shprehet se nëse nuk i plotësohen kushtet, atëherë po mendon të përfaqësojë një shtet tjetër. „Unë kam motiv për të boksuar, pasi ky sport më pëlqen shumë, por nuk kam motiv të boksoj në Kosovë. Edhe këtë vit do të pres që të më plotësohen kushtet, e nëse kjo nuk realizohet, atëherë do të boksoj për një shtet tjetër“, ka theksuar Armend Xhoxhaj. Ai llogaritet si shpresa më e madhe e boksit kosovar dhe njëri nga ata sportistë që mund të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios, që do të zhvillohen pas katër vjetësh. Megjithatë, duke marrë parasysh kushtet e rënda dhe neglizhencën e institucioneve për të përkrahur këtë sport dhe kampionët e këtij sporti, Kosova mund të humbasë një sportist të madh, siç është Armend Xhoxhaj, i cili gjithashtu është edhe shpresë olimpike. Xhoxhaj kishte marrë pjesë edhe në Lojërat Evropiane në Baku të Azerbajxhanit, që u zhvilluan vitin e kaluar dhe ishte shumë afër zonës së medaljes.