Cana merr licencën gati për ekipin Shpresa!

Ka përfunduar kursi “UEFA B”. Në një ceremoni të organizuar në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, kursantët kanë marrë diplomat pas përfundimit të këtij kursi. Në këtë kurs morën pjesë trajnerët e grupmoshave dhe ata të futbollit amator. Kursi si zakonisht është organizuar nga Sektori i Edukimit, në Federatën Shqiptare të Futbollit, sipas një programi të ndërtuar që në fillimin e vitit. Në këtë kurs mori diplomën edhe ish-kapiteni i kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana. Ky është kursi “UEFA B”, numër 22, i organizuar deri më tani nga ky sektor.

Sipas specialistëve të Sektorit të Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit, vazhdon të jetë në proces kursi “UEFA PRO”, që vazhdon gjithë vitin. Ndërkohë do të organizohet kursi “UEFA A” për trajnerë portierësh dhe për drejtor sportiv. Kursi “UEFA A” për trajnerë portierësh do të organizohet në pesë muaj me radhë, javën e parë të çdo muaji. Por më shumë se çdo gjë tjetër, Lorik Cana tani është gati për të nisur rrugën e trajnerit, duke filluar që nga kombëtarja U-21. Ai është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e ekipit.

auto_dddddddddddddd1477471493