Prishtina dhe Peja, „në duar“ të tifozëve të tyre

Si prishtinasit, ashtu edhe pejanët patën pësuar disfata në xhiron e parë.

S igal Prishtina dhe Peja, të mërkurën me fillim nga ora 20:30, do t’i zhvillojnë ndeshjet e dyta në kuadër të Grupeve të tyre në FIBA Europe Cup. Prishtina sot në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet e pret ekipin e Rilski Sportist nga Samokovi i Bullgarisë, ndeshje kjo që i takon Grupit H të FIBA Europe Cup, në të cilin bëjnë gara edhe Demir Insaat nga Turqia dhe Enisey nga Rusia. Në anën tjetër, Peja në „Karagaçi“ po sot është nikoqire e skuadrës AEK Larnaca nga Qipro. Ky duel i takon Grupit G të FIBA Europe Cup në të cilin bëjnë gara edhe Cluj nga Rumania dhe Gaziantep nga Turqia.

Bardhekaltrit nuk dorëzohen Në ndeshjen e parë të edicionit të ri 2016/17 të FIBA Europe Cup, Sigal Prishtina u pati deklasuar në Stamboll nga Demir Insaat me rezultat 100:58. Menjëherë pas kësaj disfate te bardhekaltrit erdhën ndryshimet së pari në shtabin teknik dhe më pas edhe në përbërjen e lojtarëve. Petar Mijoviq ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit, kurse Marcel Jones dhe Luis Daby Jr janë prurjet e reja te klubi nga kryeqyteti. Në vend të trajnerit Mijoviq ka ardhur kroati Jeronimo Sharin, i cili për duelin me Rilski Sportist ka deklaruar: „Jam trajner i ri te Prishtina dhe po ashtu kemi dy lojtarë të rinj që duhet të adaptohen në ekip. Kemi katër stërvitje së bashku dh do të shohim reagimin e ekipit ndaj Rilski Sportist që është një ekip i fortë. Na pret një ndeshje e vështirë dhe kjo përballje vjen shumë herët, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Na mbetet të japim gjithçka nga vetja dhe mos të dorëzohemi deri në fund. Pavarësisht rezultatit, ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë ndeshje pas ndeshje. Nuk kemi hequr dorë nga synimet që i kemi dhe shpresoj të gëzojmë publikun ndaj Rilski-t“. Kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi ka thënë se shpreson se me ndihmën e publikut do të arrijnë deri te fitorja e parë në FIBA Europe Cup: „Do ta kemi pak vështirë, pasi po mundohemi të adaptohemi me sistemin e trajnerit të ri. Rilski ka një ekip shumë të fortë, por ne luajmë para publikut tonë dhe shpresoj të arrijmë fitoren e parë në FIBA Europe Cup“.

Verdhezinjtë mendojnë ta befasojnë AEK-un Ndërkohë, Peja është mbajtur mirë në ndeshjen e parë debutuese në FIBA Europe Cup, pasi verdhezinjtë në Rumani janë mposhtur nga Cluji në kuadër të Grupit G të kësaj gare me rezultat 85:76. Tani në kuadër të xhiros së dytë ata janë nikoqirë të AEK Larnaca-s nga Qipro, kundërshtar ky i vështirë dhe me përvojë sipas trajnerit të Pejës, Aleksandar Todorov. „Nëse e përsërisim lojën që e kemi treguar në Cluj dhe kemi ndihëm e publikut vendas, mund të befasojmë AEK-un që është një ekip me përvojë ku ka dy lojtarë të NBAs. Duhet të luajmë mirë dhe të kemi përkrahje për të befasuar“, është shprehur Todorov.