Asnjë profesioniste në Kosovë

Pa kushte s’mund të kërkohen as suksese

Njëri nga sportet ku problemet janë shumë të mëdha është volejbolli. Ky sport ka mbetur si i harruar, derisa lojtarët dhe lojtaret luajnë vetëm për pasion, pasi nuk paguhen. Trajneri i mirënjohur i volejbollit, Lorik Ilazi thotë se s’kanë kushte për të punuar, derisa një pjesë të fajit i kanë edhe institucionet e Kosovës. Ai shton se nuk kanë kushte as për t’u stërvitur, derisa për sukses në arenën ndërkombëtare është shumë herët të flitet
Volejbolli vazhdon të jetë në gjendje shumë të rëndë. Pavarësisht se kanë kaluar 17 vjet nga përfundimi i luftës dhe janë pranuar në arenën ndërkombëtare, problemet e vjetra nuk janë larguar. Infrastruktura është një problem i madh, por volejbollistët në Kosovë ballafaqohen edhe me shumë probleme të tjera. Ata nuk paguhen, derisa nuk kanë kushte as për t’u stërvitur siç duhet një profesionist. Pasi luajnë pa paga, janë të detyruar që të punojnë punë të tjera për të mbijetuar. E, për këtë arsye po mungojnë edhe sukseset në arenën ndërkombëtare, pasi ballafaqohen me ekipe shumë të organizuara dhe me përvojë.

Larg Evropës

Trajneri i Dritës, Lorik Ilazi thotë se çdo paraqitje në garat ndërkombëtare iu ndihmon, por për suksese është shumë herët të flitet. „Çdo garë na ndihmon shumë, dhe kjo është më se e qartë. Këto ndeshje na ndihmojnë të shohim ku jemi dhe sa larg Evropës jemi. Por, sigurisht se i ndihmon edhe klubet e lojtaret të fitojnë përvojë. Ne nuk mund të presim mrekulli për një kohë të shkurtë“, ka thënë fillimisht Ilazi për „Kosova Sot“. Ai ka shtuar se për shkak të gjendjes së rëndë, nuk ka asnjë profesionist në Kosovë. „Ne nuk kemi kushte për të punuar për një vit, pasi nuk kemi as palestra që na duhen. Gjithashtu edhe lojtarët e lojtaret që luajnë, e bëjnë këtë vetëm për pasion, e jo për para. Për këtë arsye nuk kemi asnjë profesionist, pasi nuk ka paga dhe volejbollistët janë të detyruar të punojnë edhe punë të tjera. I vemi lojtar profesionist kosovar është Gazmend Husaj. Edhe ai luan për Shqipërinë. Kjo tregon për gjendjen e volejbollit kosovar në të dyja konkurrencat. Ne kemi fat që kemi në grumbullime te Kosova, Adelajda Prenga, e cila ka përvojë ndërkombëtare. Nuk mungon talenti dhe dëshira, megjithatë, kushtet e punës janë shumë të rënda“, ka shtuar tutje Ilazi, i cili është edhe përzgjedhës i Kosovës në konkurrencën e femrave.

S’ka kushte as për t’u stërvitur 

Se sa është dallimi i madh ndërmjet volejbollit kosovar dhe atij ndërkombëtar, tregon fakti edhe sa paguhen lojtaret në Evropë. „Një lojtare e Turqisë ka pagë vjetor prej 500 mijë euro, kurse ne nuk kemi asnjë lojtare profesioniste. Jo vetëm që nuk kemi lojtare profesioniste, por nuk kemi kushte as për t’u stërvitur rregullisht gjatë një viti, pasi palestrat janë shumë të ftohta. Një lojtare duhet të ketë kushte për 12 muaj. Është një kosto shumë e madhe, pasi sportistja ka nevojë për ushqim, stërvitje dhe gjëra të tjera elementare, kurse këto fatkeqësisht mungojnë në Kosovë. Mungojnë financat dhe sponsorët. Klubet punojnë sot për nesër. Gjithashtu edhe Ligji për Sponsorizime në Sport duhet të hyjë sa më shpejt në fuqi dhe i lus institucionet në Kosovë që të bëjnë më shumë për volejboll dhe të krenohemi me sukses në garat ndërkombëtare, pasi kemi talent e motiv për të punuar, por nuk ka kushte. Duhet ta kthejnë kokën nga sporti dhe të mendojnë më shumë, pasi kemi dëshirë, megjithatë, sportistet kërkojnë kushte dhe këto kushte duhet t’u plotësohen“, theksoi trajneri gjilanas. Skuadrat kosovare të volejbollit për vitin e dytë po marrin pjesë në garat ndërkombëtare, kurse nëse vazhdohet me këtë gjendje, vështirë se do të ketë suksese. „Momentalisht nuk ka kushte dhe nëse nuk përmirësohen, atëherë na pret këngë e njëjtë si ato të hendbollit, që disa vjet marrin pjesë në garat ndërkombëtare. Duhet të punojmë shumë për të ardhmen. Kemi vasha të reja që merren me volejboll dhe janë shumë ta talentuara. Kjo është e rëndësishme. Ende jemi në entuziazmin e pranimit dhe këto vasha duhet të motivohen dhe jo të lihen në harresë. Na pret një rrugë e gjatë në të ardhmen, pasi sukseset nuk mund të kërkohen tani, por pas shumë vjetësh. Duhet shumë punë nga të gjithë për suksese“, përfundoi Lorik Ilazi.