Të pafuqishëm të përballen me dhunën

Vëzhgimi nga UEFA është i madh, tensionet na prishin shumë punë

Dhuna dhe tensioni i shfaqur së fundmi në disa ndeshje të futbollit në Kosovë, sikur është një sinjal se arena ndërkombëtare na ka gjetur të papërgatitur sa duhet. Sivjet futbolli ynë për herë të parë zhvillohet nën ombrellën e UEFA-s e FIFA-s, dhe pavarësisht se Federata e Futbollit e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithëve, duke filluar nga drejtuesit e komisioneve të saja, klubeve dhe organeve të sigurisë, që të jetë shumë të vëmendshme dhe në mënyrë profesionale ta kryejnë punën, pasi do të vëzhgohemi detajisht nga institucioni ndërkombëtar i futbollit, kjo nuk po ndodh. Tashmë në elitën e futbollit, kemi një ndeshje të ndërprerë, ajo ndërmjet Llapit e Feronikelit, për shkak të sulmit në gjyqtar, ndërsa këtë mesjavë që lamë pas, pati sulm në futbollistë në ndeshjen për Kupën e Kosovës, e cila u zhvillua ndërmjet Bashkimit dhe Kikës, gjë e cila i ka dhënë një imazh jashtëzakonisht të keq futbollit tonë. „Si kryesi e klubit jemi shumë të zhgënjyer me pritjen që na bënë nga ana e Bashkimit dhe tifozëve të saj. Nga fillimi i ndeshjes, shikuesit kishin kore raciste, „mbyteni lojtarët“, „thyeni këmbët“. Madje, shikuesit hodhën gjatë gjithë kohës gjësende të forta në fushë. Lojtarët tanë përveç tifozëve u sulmuan edhe nga sigurimi. Dua të themi se është definitive se nuk jemi për FIFA e UEFA“, thuhet në reagimin e skuadrës së Kikës. Njohësit e futbollit pas ngjarjeve të fundit nuk fajësojnë vetëm klubet por edhe vetë FFK-në, e cila sikur nuk ka kapacitet të krijojë rregull në futbollin tonë, pasi ngjarje të tilla vazhdimisht na kanë përcjellë dhe asnjëherë nuk u gjet mënyra për t’i ndaluar ato

Komisionet me kritere të dyfishta

Dhuna dhe tensionet po kthehen nëpër fushat e futbollit të Kosovës, dhe për fat të keq po ndodhin në momentet më të këqija, bash tash kur jemi pjesë e UEFA dhe FIFA. Por, çka po ndikon që këto dukuri shumë negative dhe degraduese po shfaqen ditë e më shumë nëpër ndeshjet e futbollit tek ne. Ish-gjyqtari i njohur, Nexhmedin Bunjaku, fajëson vetë shtëpinë e futbollit, e cila sikur është e papërgatitur dhe e pafuqishme të përballet me to. „Unë mendoj se Federata ka hyrë në këtë kampionat e papërgatitur, që dëshmon se është e njëjta avari si vitet e mëparshme, e njëjta neglizhencë, dhe i njëjti joseriozitet nga ana e Federatës. Kësaj dhune dhe tensione nëpër fushat e futbollit tek ne, po i paraprinë vetë FFK-ja, duke përdorur standarde të dyfishta në shqiptimin e dënimeve ndaj klubeve, futbollistëve dhe trajnerëve, dhe këto veprime të padrejta të komisioneve gjegjëse të federatës po shkaktojnë nervozizëm në opinion, por edhe nëpër klube“, ka thënë Bunjaku.

Federata e papërgatitur

„Në vend se FFK-ja të hyjë më e përgatitur se kurrë më parë, pasi që mbi kokë kemi ata që nuk falin, pra UEFA-n e FIFA-n, ajo e bën të kundërtën çka edhe si dëshmi më e mirë janë këto dukuri shumë negative, që po i shohim çdo ditë. Po të ishte vetë federata e përgatitur, do t’i përgatiste edhe klubet, nëpërmes mbledhjeve dhe bisedave apo kontakteve të vazhdueshme me to“, ka thënë Bunjaku, sipas të cilit askush nuk duhet fajësuar më shumë sesa vetë Federata, e cila edhe është përgjegjëse për organizimin e garave futbollistike. „Kjo garniturë udhëheqëse e federatës sa e sa herë e ka dëshmuar vetën se është e paaftë, e paditur, joserioze dhe e pavlerë. Klubet duhet të kenë kujdes, që mos të bien pre e manipulimeve, matematikave dhe të interesave të klaneve brenda federatës, por duhet të kenë durim, sepse herët a vonë kjo garniturë udhëheqëse e FFK-së do të marrë dënimin e merituar“, ka përfunduar Nexhmedin Bunjaku.