Dali“ po u mungon shumë parketeve kosovare

„Normalisht se një lojtar i kalibrit të Dardanit i mungon jo vetëm Prishtinës, por gjithë basketbollit kosovar, pasi loja që ai e bën, dyhapëshi, trepikëshat, mënyra se si e udhëheq ekipin, e bëjnë atë të veçantë në parketet kosovare“, ka deklaruar Ismet Ferati, trajner i basketbollit.

Ka diçka që po i mungon basketbollit kosovar në këtë fillim edicion. E kjo diçka e mban emrin e basketbollistit më të mirë në vendin tonë, Dardan Berishës. „Dali“, siç e ka nofkën ai, pas tri edicioneve të kaluara te Sigal Prishtina, në këtë edicion ka vendosur të rikthehet në Poloni, për t’i mbrojtur ngjyrat e ekipit Polfarmex Kutno. Në dy ndeshjet e para te kjo skuadër ai ka mesatare prej 16,5 pikë, 2,5 kërcime e 2,5 asistime për ndeshje.

I dashur edhe për tifozët kundërshtarë Berisha jo vetëm që e la shumë keq Prishtinën, ai po ashtu e la keq edhe Superligën e Kosovës, pasi në një mënyrë apo tjetër ai i hijeshon parketet e basketbollit, në cilindo qytet që luan. Edhe ekipet kundërshtare nuk është se nuk e kanë dashur, përkundrazi në çdo qytet në Kosovë që ai ka shkuar për të luajtur me Prishtinën, pas çdo ndeshje tifozët e skuadrave kundërshtare e kanë kërkuar ose autografin e tij ose fotografi me të, sepse ai me të vërtetë është i veçantë me stilin e tij të lojës. Këtë e konfirmon edhe trajneri i basketbollit, Ismet Ferati: „Normalisht se një lojtar i kalibrit të Dardanit i mungon jo vetëm Prishtinës, por gjithë basketbollit kosovar, pasi loja që ai e bën, dyhapëshi, trepikëshat, mënyra se si e udhëheq ekipin, e bëjnë atë të veçantë në parketet kosovare. Edhe tifozët e duan kudo që ai luan, sepse është i dashur dhe i sjellshëm me të gjithë. Pra, këto janë tipare të një basketbollisti të nivelit të lartë dhe i tillë është edhe Berisha. Mungesa e tij është e dukshme, sidomos te Prishtina, ekip ky që është mësuar me prezencën e tij në tri vitet e fundit. Tani me inkuadrimin e Drilon Hajrizit besoj se klubi bardhekaltër do të filloj të këndellet, sepse i mungonte një lider, për ta shtyrë ekipin përpara“. Për katër edicione sa ka qëndruar në Kosovë, Berisha i ka fituar katër tituj të Kosovës, ndërsa i ka fituar edhe dy trofe në Ligën Ballkanike me Sigal Prishtinën. Para se të bashkohej me ekipin nga kryeqyteti ai ka luajtur një edicion edhe te Peja. Kalimi në Poloni i është dashur Dardanit dhe këtë e ka thënë edhe vet ai, por në ndërkohë ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të kthehet sërish në Kosovë, por jo këtë vit.