Shkëlqen Balaj, shënon dygolsh në fitoren e Groznit

Lojtarët e kombëtares shqiptare, Bekim Balaj dhe Odise Roshi u shfaqën sërish protagonist në kampionatin rus, duke e udhëhequr Terek Groznin në fitoren 4-1 kundër Uralit.

Balaj barazoi shifrat në përfundim të pjesës së parë, duke përfituar nga gabimi i portierit kundërshtar. Në pjesën e dytë Roshi bëri një driblim të shkëlqyer në zonën e vendasve duke i dhënë një asist bomberit shkodran, i cili shënoi golin e dytë personal në këtë takim.

Me dygolshin e sotëm Balaj ngjitet në kuotën e gjashtë golave, në 11 ndeshje të zhvilluara këtë sezon. Terek Grozni ngjitet në vendin e katërt në ndjekje të ekipeve kryesore, Spartakut të Moskës, Zenitit dhe CKA-së.