Rusia 2018, De Biasi zbulon synimet e Kombëtares

Gianni De Biasi, selektori i Shqipërisë, ka zbuluar objektivat e Kombëtares në kualifikimet për Botërorin „Rusia 2018“

Duke e pasur parasysh që në grup ka dy skuadra të mëdha si Spanja dhe Italia, Gianni De Biasi nuk guxon të shprehet shumë optimist për një kualifikim të mundshëm në Botërorin „Rusia 2018“. Sipas italianit, objektivi i Kombëtare është vendi i tretë në Grupin G.

“Jemi mësuar të përqendrohemi te objektivi i radhës, edhe pse na ndajnë afro pesë muaj nga sfida me Italinë. E them këtë pasi Izraeli është ndeshja më e rëndësishme për Shqipërinë dhe aty duhet të jemi të përqendruar. Është rivali ynë direkt për vendin e tretë në grup. Ky është një objektiv mjaft i rëndësishëm, pa anashkaluar që më pas të realizojmë edhe diçka më tepër.”

Përballë Spanjës dhe Italisë në Grupin G kualifikues të Botërorit 2018, vendi i tretë mbetet objektivi real i Shqipërisë. Tekniku 60-vjeçar kërkon të njëjtin motivim dhe angazhim të lojtarëve, për të realizuar një tjetër ëndërr, si ajo e kualifikimit në Europianin e Francës.

“Është e vështirë të renditemi në vendin e dytë, sepse Spanja dhe Italia kanë më tepër cilësi. Spanja është më superiore se të gjitha ekipet e grupit, ka eksperiencë të madhe ndërkombëtare dhe kualitet. Italia ka lojtarë të fort në mbrojtje, me Buffon, Chielini, Bonuçi, Bonuccin e Barzagli”, ka theksuar ai.

“Gjithashtu nëse rikuperohet maksimalisht edhe Marchisio që ka nisur të luajë, do të jetë një bllok solid i Juventusit që do ti japë më tepër cilësi ekipit. Sa i takon Shqipërisë, ne nuk duhet të harrojmë atë që na ndihmoi të kualifikoheshim në Kampionatin Europian, pra të jemi të vetëdijshëm te kualiteti ynë, të luajmë në mënyrë jo egoiste dhe të jemi gjithmonë aty për të ndihmuar njëri-tjetrin.”, shtoi ai.