Pejanët paraqitja në tri gara, ngarkesë e madhe

Pejanët e kanë nisur mjaft mirë edicionin e ri.

Skuadra e Pejës e ka nisur mjaft mirë edicionin e ri, ku nga shtatë ndeshje të zhvilluara ka pesë fitore dhe dy humbje. Dy humbjet i ka pësuar në FIBA Europe Cup, ku po merr pjesë për herë të parë, derisa ka një fitore në këtë garë. Një fitore ka edhe në Ligën Ballkanike, atë ndaj skuadrës maqedonase Feni Industries, derisa në Superligën e Kosovës në basketboll ka katër fitore në katër ndeshje të zhvilluara, duke përfshirë këtu edhe fitoret ndaj Sigal Prishtinës dhe Trepçës, dy rivalëve të vjetër të basketbollit kosovar

I kënaqur me paraqitjet e deritashme

Peja edicionin e kaluar fitoi vetëm Superkupën e Kosovës në basketboll dhe shpreson se ky vit do të jetë më ndryshe. Megjithatë, pjesë- marrja në tri gara është ngarkesë më e madhe. Basketbollisti i kësaj skuadre, Alban Veseli, shprehet i kënaqur me paraqitjet e deritanishme. „Natyrisht se jam shumë i kënaqur me lojërat e treguara në përjashtim të pjesës së dytë kundër Gazientep-it të Turqisë, ku ishim tërësisht të shpërqendruar, mirëpo e dimë mjaft mirë kapacitetin e skuadrës kundërshtare dhe mendoj se është ekip i nivelit të Euroleague-s. Duke marrë parasysh këtë kualitet mendoj se mjaft mirë jemi paraqitur“, ka thënë Veseli për „Kosova Sot“. Peja ndodhet në Grupin G së bashku me UBT Cluj, Gaziantep dhe AEK. Takimin e radhës pejanët e kanë në shtëpi ndaj Cluj-it, ku shpresojnë se do të shënojnë fitoren e dytë në këtë garë, shumë të rëndë- sishme. Në Ligën Ballkanike, takimin e vetëm e kanë fituar verdhezinjtë, derisa për humbje nuk dinë as në elitën e basketbollit kosovar

Tri ndeshje për shtatë-tetë ditë 

Por, paraqitja në tri gara është ngarkesë e madhe për pejanët, pasi këtë edicion për herë të parë po marrin pjesë në FIBA Europe Cup. „Paraqitja në tri gara është një ngarkesë shumë e madhe për ne, pasi i zhvillojmë tri ndeshje për shtatë-tetë ditë. Një ritëm i lartë i ndeshjeve dhe udhëtimeve njëkohë- sisht, por mendoj se deri këtu jemi mbajtur mjaft mirë“, ka theksuar Veseli, i cili ka përvojë nga garat, pasi vite me radhë ka luajtur edhe në Sigal Prishtinë. Pasi po luajnë për herë të parë në FIBA Europe Cup, synimi është që të kalojnë fazën e grupeve. „Kalimi i grupit do të ishte një arritur shumë e lartë, por do të shohim gjërat si do të shkojnë. Shpresoj se do të kemi paraqitje sa më të mira, por nuk do të harrojmë edhe Ligën Ballkanike dhe Superligën e Kosovës në basketboll që janë gara shumë të rëndë- sishme për ne“, ka përfunduar Alban Veseli, njëri nga basketbollistët më të mirë vendor, si dhe anë- tar i Përfaqësueses së Kosovës.