Gashi rrezikon finalen

Shkëlzen Gashi rrezikon të humbasë sfidën e parë përballë Seatle, në finalet e Konferencës së Perëndimit.

Sulmuesi shqiptar u dëmtua në këmbën djathtë, në sfidën play-off përballë Los Angeles Galaxy të luajtur 10 ditë më parë.

28-vjeçari u largua mes dhimbjeve nga fusha, pasi më parë kishte realizuar një gol të jashtëzakonshëm, që riktheu Colorado Rapids në lojë, me skuadrën nga Denveri që u kualifikua pas ekzekutimit të 11-metërshave.

Konfirmimi për mungesën e mundshme të Gashit u dha nga trajneri Pablo Mastroeni.

“Gashi po përmirësohet pas çdo dite që kalon dhe rikuperimi i tij ka ecur më mirë sesa parashikohej. Aktivizimi i tij në finalen e parë është në dyshim, por besojmë se jemi në rrugë të mbarë, që Shkëlzeni të japë kontributin në ndeshjen e kthimit në fushën tonë”.

“Për momentin, më e rëndësishmja është që Gashi të jetë rikuperuar 100 për qind, për të synuar më pas ta hedhim në fushë. Megjithatë, nëse do të jetë gati, nuk ka dyshim që do ta aktivizojmë”.

Shkëlzen Gashi ishte lojtari më i spikatur i Colorados në këtë sezon, me 9 gola të realizuar.