Pa e hequr qafe mafinë nuk zhbllokohen investimet

Planet nuk janë pengesë, problem është udhëheqja e korruptuar.

Duke u bazuar në sjelljet poshtëruese, që po i bëjnë krerët e Komunës së Prishtinës me Shpend Ahmetin në krye ndaj investitorë vendorë dhe të huaj, mbetet mister se deri kur ai me klanin e tij do të bllokojnë investimet e tjera milionëshe, siç është rasti me refuzimin e dhënies së lejes për ndërtimin e hotelit „Hilton“ në Prishtinë. Njohësit e kësaj fushe kritikojnë bllokimin nga Komuna e Prishtinës, e cila nuk implementon dy vendime të Ministrisë së Mjedisit, edhe përkundër faktit se 3 ligje, siç është Ligji për ndërtim, Ligji i procedurës administrative dhe Ligji i procedurës kontestimore, janë ato që obligojnë krerët e Komunës së Prishtinës që t’i implementojnë vendimet e plotfuqishme ligjore. Eksperti i financave, Xhevat Meha, tha për „Kosova Sot“ se cilido investim është shumë i mirëseardhur në Kosovë. Sipas tij, duhet që kur shkelen të drejtat dhe interesat e investitorëve pa bazë ligjore, investitorët duhet që gjithsesi të ngrenë padi gjyqësore dhe mos të lejojnë t’u nëpërkëmben të drejtat dhe interesat e investitorëve.

Haraçi mbi investitorët

Analisti Florim Zeqa thotë se shkaqet e ngecjes ekonomike të shtetit të Kosovës janë të shumta, duke filluar nga procedurat burokratike, shkeljet e ligjit në rastet e tenderimit, mitmarrja e deri tek format krejtësisht të paligjshme të haraçit. Si pasojë e kësaj situate, viteve të fundit kemi rënie drastike të investimeve nga jashtë, si dhe të investitorëve seriozë vendorë. „Vite më parë, një bashkatdhetar yni, një biznesmen shqiptar nga Trevizo (Itali), kishte vendosur të realizojë një investim prej 500 mijë eurove në qytetin e tij të lindjes në Kosovë. Por, shkaku i kërkimit të 100 mijë eurove haraç nga grupe të caktuara të interesit, i njëjti detyrohet që investimet e tij t’i zhvendosë në shtetin e Malit të Zi, i cili nga ajo ditë e deri më sot zhvillon biznesin e tij me sukses dhe pa asnjë pengesë në qytetin e Ulqinit „, tha ai. Analisti Zeqa thotë se ky është njëri nga shumë raste të pengimit të investimeve të bashkatdhetarëve nga mërgata në Kosovë, të cilat përveç zhvillimit ekonomik të vendit, do të gjeneronin mijëra vende pune dhe mirëqenie qytetare. „Rast i ngjashëm i bllokimit të investimeve të mëdha, është edhe rasti me hotelin „Hilton“, në të cilin projekt është edhe qendra e madhe tregtare, ku Komuna e Prishtinës në mënyrë të kundërligjshme vazhdon të pengojë investimet 80 milionëshe, të cilat do të gjeneronin së paku 2 mijë vende pune për të rinjtë kosovarë“. Analisti Zeqa është i mendimit se për aq kohë sa të jenë në pushtet mafia politike, do të jenë të kota të gjitha kornizat ligjore, që bëjnë të mundur implementimin e vendimeve të plotfuqishme ligjore.

Plani duhej të korrigjohej

Eksperti i planeve urbanistike, arkitekti Ylber Vokshi, tha për „Kosova Sot“ se thelbi i problemit është në mendësinë tonë, në qasjen ndaj fushës së Planifikimit Hapësinor dhe atij Urban në Prishtinë dhe në Kosovë. Sipas Vokshit, Plani Rregullues urban i kompleksit të „Lakërishtës“ është dashur të plotësohet, korrigjohet dhe të ndryshohet shumë kohë ma parë, pasi ishte aprovuar në vitin 2007 dhe kishtemangësi të dukshme, si rezultat i ndërhyrjeve të ndryshme, ngjashme është situata edhe në zonat tjera të kryeqytetit, rrethanat urbane tërësisht kanë ndryshuar në ato pjesë të kryeqytetit, kushtet e reja të ekonomisë së tregut ku zhvillimet e reja teknologjike tmerrësisht imponojnë që fusha e zhvillimeve urbanë të jetë në shërbim të tyre, e jo të imponohen disa klishe të së kaluarës. „Në rastin konkret dhënia e lejes së ndërtimit për një kompleks hotelier si dhe thithja e atyre investimeve (parave) as që është dashur me u diskutuar. Duke i zbatuar principet e Planifikimit Hapësinor Strategjik, në raste specifike si kërkesat e hotelit „Hilton“, për interes të kryeqytetit, është dashur të bëhet ndryshimi dhe përshtatja e kushteve dhe kërkesave të reja urbanistike të investitorit, natyrisht duke i respektuar normat dhe standardet e ndërtimit dhe urbanistikës, dhe me iu dhënë lejen e ndërtimit“, ka thënë ai. „Këtë e mundëson Planifikimi Hapësinor Strategjik në raste specifike, të cilin është dashur ta aplikojnë zyrtarët e Komunës së Prishtinës“, theksoi Vokshi. „Ne si shoqëri kemi arritur që fushën e urbanistikës për të keq ta mistifikojmë, marrjen e një leje ndërtimi ta komplikojmë në ekstrem,e krejt kjo për disa favore personale dhe grupore“, tha ai.

Eksperiencat ndërkombëtare, model që duhen ndjekur

Eksperti Ylber Vokshi tha se qëndrimet e mia i ka të bazuara në eksperiencat ndërkombëtare. „Para 14 vite isha në vizitë pune në Holandë në Institutin „IHS“ të Roterdamit, institucion me famë botërore në fushën e Planifikimit Hapësinor dhe Urban, i njohur me punë të suksesshme në të gjitha anët e botës. Kërkova nga eksperti i njohur botëror Forbes Davidson mendimin e tij se si do të vepronte në rastin kur një investitor do të kërkonte të ndërtojë, të investojë disa miliona euro, në një lokacion që do të ishte në kundërshtim me dokumentet urbane legjitime të Roterdami. Ai tha pa hamendje të momentit,me insistimin tim, se kurrsesi nuk do të lejonte të refuzohet një investitorë i tillë serioz, dhe se kërkesa e tij do të analizohej dhe do të aprovohej edhe me ndryshimin, përshtatjen me rrethanat e reja urban, në atë zonë të qytetit të Roterdamit“, theksoi ai. „Më vonë u binda se Davidson kishte pasur plotësisht të drejtë, kurse mua mu ndryshua të menduarit profesional hapësinor dhe urban. Kjo mendësi i mungon klasës politike, profesionistëve dhe së fundit edhe popullit tonë, mu këtu qëndron thelbi i zgjidhjes së problematikës urbane në Kosovë me tolerancë të ndërsjella“, potencoi në fund ai

Be the first to comment

Leave a Reply