Shpend Ahmetin, Liburn Aliun mund t’i presë burgu

Prof. Smaka: Aktvendimi i shkallës së dytë kurdoherë  konsiderohet i plotfuqishëm, i detyrueshëm dhe i zbatueshëm

„Rrjedhimisht, personi, subjekti apo entiteti natyral apo legal, që nuk e përfill aktin juridik përfundimtar, alias ligjin, pashmangshëm shkakton akt penal të sanksionuar edhe me Kodin Penal dhe, sipas kësaj, kurdoherë do të duhej që Prokuroria detyrimisht, ex oficio, të ndërmerrte akte dhe veprime legale në zbatim të Kodit Penal“, theksoi profesor Riza Smaka 

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me drejtorin e Urbanizmit, Liburn Aliu, po vazhdojnë edhe pas pese muajve të refuzojnë të zbatojnë vendimet e plotfuqishme të MMPH-së si organ i shkallës së dytë sipërore në procedurë administrative, me të cilat vendime Ministria e Mjedisit kishte Shfuqizuar vendimet e paligjshme të Komunës dhe kishte Aprovuar kërkesën e investitorit për ndërtimin e kompleksit, hoteli brend amerikan „HILTON“dhe përmbajtje të tjera sipas projekteve të parapara. Ndonëse në të dyja rastet, Komuna ka pasur mundësi që me Padi ta dërgojë rastin në konflikt administrativ në Gjykatën Themelore – Departamenti Administrativ në Prishtinë, në mungesë faktesh nuk e ka bërë këtë gjë. Për më tepër kjo tregon se në çfarë shteti jofunksional jemi, kur vendimet e plotfuqishme të shkallës së dytë nuk implementohen nga shkalla e parë, dhe tani përveç dëmit të madh ekonomik të investitorit, me këtë bllokim hipokrit , të qëllimshëm e të kundërligjshëm të Shpend Ahmetit dhe Liburn Aliut e Dardan Sejdiut, të cilët gjate tre viteve në udhëheqje të Prishtinës ishin afruar e lidhur shumë me interesa të kundërligjshme duke vepruar në fshehtësi , tani në vitin e fundit të zgjedhjeve për arsye e interesa mega-financiare për grupin dhe partinë janë afruar e lidhur shumë me bizneset e klanit të inkriminuar ‚PRONTO‘ , si një segment i organizuar i ishSHIK-ut në Komunën e Prishtinës , para pak ditësh kishin zbardhur pjesërisht manipulimet e planifikuara me disa dhjetëra hektarë të tokës publike të Komunës së Prishtinës në dëm të projekteve private , me tokë e investime private. Ky grup i organizuar po i shkakton dëme të mëdha edhe zhvillimit të ekonomisë në kryeqytet, sepse të bllokohet një investim afro 80 milionë euro në tokë e investime private, si dhe punësimi i afro 2000 punëtorëve dhe refuzimi i hotelit amerikan „HILTON“ si brend, është skandal tepër i guximshëm, në këtë mungesë investimesh dhe papunësi enorme. Krahas këtyre pasojave, ekspertët e fushës së sundimit të ligjit, dërgimin e rastit në Gjykatë nga investitorët e dëmtuar, e shohin me pasoja serioze për zyrtarët komunalë, të cilët mund të dënohen edhe me shumë vjet burg, përveç kompensimit të dëmit material, që duhet t’i kompensohet investitorit nga institucioni i Komunës se Prishtinës në shumë miliona euro.

Shala: Ahmeti e Aliu e pamundësuan realizimin e projektit ‚Hilton‘

Avokati Betim Shala ka pohuar se duke u bazuar në të gjitha faktet e veprimit të zyrtarëve të Komunës, duke filluar nga kryetari Shpend Ahmeti, Liburn Aliu dhe vartësit e tyre, që nga koha kur Shpend Ahmeti është zgjedhur për kryetar të Prishtinës, si dhe prej kohës kur Liburn Aliu është emëruar drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, ata pandërprerë në mënyra të ndryshme, janë munduar që t’ia pamundësojnë Ruzhdi Kadriut, pronar i ligjshëm i dy ngastrave kadastrale në qytetin e Prishtinës, e të cilat gjenden në Rrugën „Tirana“ në afërsi të Pallatit të Sporteve dhe ish-Ndërtesës së Rilindjes që të mos i lëshohet leja e ndërtimit të projektit të cekur. „Ashtu që nga marrja e pozitave të tyre zyrtare në janar 2014 e në vijimësi, dhe posaçërisht nga data 29.10.2015, kur është aplikuar në Drejtorinë e Urbanizmit zyrtarisht për dhënien e Kushteve Ndërtimore me Kërkesën nr. 05/035-245357, e për të cilën kërkesë me shkesën nr. 01-035-245454 është njoftuar edhe kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. Kërkesa ka qenë e kompletuar në pajtim të plotë me Ligjin e ndërtimit në fuqi nr.04/L-110 e konkretisht duke u bazuar në katër dispozitat e nenit 18 të ligjit të ndërtimit, dhe duke plotësuar të gjitha kushtet e kriteret esenciale e formale ligjore për marrjen e Kushteve Ndërtimore për zhvillimin dhe ndërtimin e dy komplekseve ndërtimore multifunksionale afariste-ekonomike, në të cilat projekte përfshihen ndërtimi i hotelit „Hilton“ – brend amerikan dhe hotel-rezidencave, shoping-qendrës, biznes-qendrës dhe shumë përmbajtjeve të tjera për sport, kulturë, rekreacion, gjelbërim, të gjitha të elaboruara përmes një Studimi mikrourban për kushtet e ndërtimit deri në detaje për ngastrat në pronësi të pastër të Ruzhdi Kadriut , të punuara profesionalisht nga një operator legal dhe i licencuar“, është shprehur ai. Sipas avokatit, pas dorëzimit të kërkesës, Liburn Aliu qëllimshëm pa e ftuar fare në bisedë e konsultime për një projekt 80 milionësh me rreth 2000 vende pune nga zyrat e veta fillon të sjellë vendime të kundërligjshme, siç është ai i pari me nr.05-035-245357 i datës 20.11.2015 duke refuzuar kushtet ndërtimore për të gjitha ngastrat dhe për të dyja projektet, ndonëse pa asnjë bazë ligjore dhe kundërligjshëm dhe duke mos i aplikuar dispozitat ligjore, e që vërtetohet me Vendimin e organit të shkallës së dytë, pra MMPH-së. „Pas ankimimit kundër vendimit të kundërligjshëm të lartcekur, Ministria e Mjedisit , si organ i shkallës së dytë, pas gjetjeve të shkeljeve ligjore e faktike me Vendimin e saj nr. A-13/16 Aprovon Ankesën e Ruzhdi Kadriut si të bazuar në ligj, dhe shfuqizon Vendimin e Drejtorisë si të kundërligjshëm, dhe Obligon e detyron Drejtorinë që të zbatojë dispozitat e nenit 18 të Ligjit të ndërtimit nr. 04/L-110. Liburn Aliu, përkundër gjetjeve e konstatimeve të MMPH-së, se vendimi është i kundërligjshëm, sërish e në formë rebelimi ,sjell vendimin e datës 17.03.2016 përsëri në kundërshtim me dispozitën e nenit 18 të Ligjit për ndërtim. MMPHja si Organ i shkallës së dytë sipëror, pas ushtrimit të Ankesës nga ana e Ruzhdi Kadriut, sjell Vendimin nr. A- 84/16 të datës 13.05.2016, me të cilin e shpall të pavlefshëm vendimin e Organit të shkallës së parë“, ka theksuar avokati Shala. Sipas tij, pas kalimit të afatit për ushtrimin e padisë për fillimin e konfliktit administrativ, vendimi i MMPH-së pas afatit prej 30 ditësh bëhet i plotfuqishëm dhe i detyrueshëm për Drejtorinë për Urbanizëm të Komunës së Prishtinës. Për këtë fakt me shkrim është njoftuar Drejtoria e Urbanizmit dhe kryetari i Komunës. Nga data 25.06.2016, kur vendimet e MMPH-së ishin bërë të plotfuqishme dhe të formës së prerë, ngase Drejtoria e Urbanizimit kishte pasur detyrim ligjor që në afat prej 30 ditësh të përcaktojë kushtet e veta ndërtimore nëse nuk e aprovon kërkesën e aplikuesit, e në rast se organi kompetent nuk kthen përgjigje me shkrim sipas afatit të kërkuar, atëherë zbatohen kushtet ndërtimore të propozuara nga aplikuesi në pajtim me dispozitën e nenit 18.4. Mirëpo, Liburn Aliu përsëri nuk e respekton dispozitën e nenit 18 të Ligjit për ndërtim dhe pa kurrfarë mbështetje ligjore dhe gjatë afatit ligjor prej 30 ditësh , nga dita kur kanë pranuar Vendimin e Organit të shkallës së dytë, nuk i kishte përcaktuar kushtet ndërtimore , por as nuk kishte ushtruar Padi për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore -departamenti administrativ, por përkundrazi pas kalimit të këtij afati, respektivisht, pas gati më shumë se katër muaj ose 120 ditë nga dita kur Drejtoria e pranon Vendimin e plotfuqishëm të Organit të shkallës së dytë, kishte tentuar të sjellë një akt të kundërligjshëm dhe të PAVLEFSHËM me nr. 05.Nr.035- 245357, me të cilin kinse caktojnë kushtet ndërtimore për ngastrën nr.7160-0 e evidentuar në certifikatën e njësisë kadastrale P-71914059- 07160-0 ZK Prishtinë, duke u bazuar sërish dhe vetëm në ish-planin rregullativ të vitit 2007, i cili sipas ligjit , por edhe sipas vendimit të Ministrisë nuk është valid dhe as i vlefshëm siç e kishte vlerësuar edhe ligji, por edhe MMPH-ja me vendimet e saj të plotfuqishme,si të pavlefshëm dhe që nuk prodhon efekte juridike, ndërsa për ngastrat nr.6191-7 dhe 6191-8 ZK Prishtinë, ku duhej të ndërtohej hoteli HILTON,pa kurrfarë baze ligjore, kishte refuzuar fare kushtet ndërtimore. Kushtet e përcaktuara ndërtimore për ngastrën nr.7160-0 e evidentuar në certifikatën e njësisë kadastrale P-71914059-07160-0 Zk Prishtinë, janë tërësisht në kundërshtim me ligjin dhe vendimet e MMPH të plotfuqishme dhe në kundërshtim me kushtet ndërtimore të propozuara nga investitori, e të bazuara në ligjin e ndërtimit dhe dispozitat e nenit 18″, u shpreh avokati Betim Shala.

Mosushtrimi i kompetencave ligjore

Përgjegjësia e kryetarit të Komunës, Shpend Ahmetit, sipas avokat Shalës është tek mosushtrimi i kompetencave ligjore, që i kanë takuar në këtë rast, prandaj bart përgjegjësi të njëjtë para ligjit, me vartësin e tij Aliun dhe vartësit e tjerë të administratës së Komunës. „Ndërsa, Shpend Ahmeti si kryetar i Komunës së Prishtinës, nuk i ka zbatuar kompetencat dhe detyrimet e parapara me Nenin 58, pika a, e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale si dhe Nenit 52, pika a) e Statutit të Komunës së Prishtinës, dhe duke u bazuar në Nenin 100.1 i LPA-së, si dhe Nenin 18 të Ligjit për Ndërtimin ka lejuar ose edhe toleruar dhe mbështetur vartësit e tij, që të shkelin dispozitat e detyrueshme ligjore dhe kushtetuese të vendit , konventat ndërkombëtare dhe atë Evropiane, duke mos u vërë në mbrojtje të ligjshmërisë si organi më i lartë në Komunën e Prishtinës, përkundër faktit ,që ai ka qenë tërë kohës i njoftuar me shkresa zyrtare. Të gjitha këto janë bazë për përpilimin dhe ushtrimin e kallëzimit penal ndaj Liburn Aliut, inxh. i dipl., drejtor i Drejtorisë së Urbanizimit të Komunës së Prishtinës, Sazane Raskova, inxh. e dipl. arch., zyrtare përgjegjëse për punimin e aktit për caktimin e kushteve dhe lejeve ndërtimore, Nazife Krasniqi, inxh. e dip, arch., zyrtare e lartë për kontroll të akteve për caktimin e kushteve e Lejeve ndërtimore, dhe Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, për shkak të dyshimit të bazuar se ata në bashkëkryerje si grup i organizuar kanë vepruar dhe kryer veprën penale „keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“ nga neni 422 par. 2 pika 2.1, 2.2 dhe 2.6 lidhur me nenin 31 të KP t? RK-së“, është shprehur avokati Shala për „Kosova Sot“. Për kryerjen e kësaj vepre penale, sipas avokatit Shala, me Kodin penal të Republikës së Kosovës është paraparë dënimi me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Se Shpend Ahmeti, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, Liburn Aliun, dhe të tjerët, mund të përfundojnë prapa grilave për shkak të shkeljes së ligjit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës, e pohojnë edhe ekspertë të tjerë të sundimit të ligjit dhe analistët politikë. „Aspekti juridik i kësaj çështjeje konsiston në faktin dhe imperativin që aktvendimi i shkallës së dytë kurdoherë konsiderohet i plotfuqishëm dhe si i tillë i zbatueshëm, madje edhe atëherë kur ngritet aktpadia në kontestin administrativ në Gjykatën kompetente, nuk e pengon ekzekutimin. Një përjashtim në këtë çështje do të ndodhte po të kërkonte paditësi që e ka ngritur aktpadinë, nëse do të ishte me legjitimitet aktiv që gjykata përkatëse me aktvendim të posaçëm e paraprak të pezullonte zbatimin e aktvendimit përfundimtar të atakuar me aktpadinë. Por, kjo sikundër shihet nuk ka qenë rast ndaj aktvendimi i shkallës së dytë ishte dashur të zbatohej pavarësisht se kujt i përshtatet apo jo. Rrjedhimisht personi, subjekti apo entiteti natyral apo legal, që nuk e përfill aktin juridik përfundimtar alias ligjin, pashmangshëm shkakton akt penal të sanksionuar edhe me Kodin penal dhe, sipas kësaj, kurdoherë do të duhej që Prokuroria, ex oficio, të ndërmerrte akte dhe veprime legale në zbatim të Kodit Penal!“, theksoi profesori i drejtësisë Prof. Riza Smaka për „Kosova Sot“. Edhe njohësi tjetër i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani, thotë se Ligji duhet të zbatohet nga të gjithë, se kompetencat mes Komunës dhe Ministrisë janë të përcaktuara me ligj, prandaj shkelësi i ligjit duhet të ballafaqohet me pasojat. „Funksionimi i rendit dhe ligjit është pika më e dobët e mundshme e shtetit të Kosovës, moszbatimi i vendimeve pastaj inatet ndërmjet pozitës dhe opozitës në këtë rast mund t’i bëjnë dëm edhe investitorit dhe hapjes së vendeve të reja të punës. Zgjidhja duhet të gjendet përmes Gjykatës ose në konfliktin administrativ. Duhet pasur fakte të shumta nga organet komunale për të ndalur këtë proces dhe iniciativë private, me fjalë të tjera Komuna duhet të ketë fakte relevante dhe pse jo, t’i bëjë ato publike, nëse ka diçka që nuk ka shkuar mirë dhe kuptohet të japë arsyetimet pse ka refuzuar ta zbatojë vendimin e MMPH-së. Pra, duhet të ketë një sqarim për publikun, por edhe për investitorin ne rend të parë ,dhe një transparencë më të madhe për opinionin publik“, theksoi analisti Blerim Burjani.

Kelmendi: Mosveprimi i Komunës mbështetet në interesa të inkriminuara financiare të grupeve të veçanta

Edhe profesori dhe eksperti i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në rastin konkret, sipas Ligjit, i jep të drejtë investitorit që është dëmtuar padrejtësisht nga Komuna. Dhe zgjidhjen finale të këtij kontesti e sheh vetëm në Gjykatë. „Komuna ka probleme të tjera mjaft të mëdha. I ka diku rreth 40% të pronës së okupuar dhe nuk po vepron. Ndërsa, në rastin konkret, në pronë private, me një vendim të organeve të shkallës së dytë nuk vepron sipas ligjit, e ku në atë vendim flet qartë për të drejtën e ndërtimit të objektit. Kjo tregon se aty ka qëllime të tjera të dyshimta , të natyrës subjektive, që mbështetet në interesa financiare të grupeve të veçanta, por jo pse është në kundërshtim me ishplanin urbanistik të qytetit i cili nuk është valid dhe nuk prodhon efekte juridike. „Në rastet e moszbatimit të vendimeve të shkallës së dytë, në procedurë administrative, palët kanë të drejtë të kërkojnë nga Ministria e Mjedisit dhe Qeveria e Kosovës (Kryeministria) zbatimin e vendimit të tillë të plotfuqishëm si vendim i fundit në procedurën administrative dhe natyrisht në mungesë të një veprimi efikas në pajtim me ligjin , pala e dëmtuar i drejtohet edhe organeve kompetente të drejtësisë, Prokurorisë së Shtetit me kallëzim penal, dhe si organ kompetent në këtë rast është Gjykata Themelore, Departamenti për çështje civile, në Prishtinë. Gjykata të tilla ka tash në të gjitha komunat. Kuptohet se raste të tilla ka kudo. Por, pala e dëmtuar, për shkak të moszbatimit të vendimit të tillë të plotfuqishëm ka të drejtë të kërkojë edhe kompensimin e dëmit material dhe atij moral, të cilët janë shkaktuar nga ana e organit që nuk e ka zbatuar vendimin e plotfuqishëm. Kompensimi dhe dëmshpërblimi përcaktohet në bazë të humbjes që ka pësuar subjekti fizik a juridik nga mosekzekutimi i vendimit. Përcaktimi i dëmit fillon nga data e vendimit, duke llogaritur kamatën dhe mundin, fitimin e humbur ,kohën e humbur dhe presionin psikik, që është bërë mbi subjektin që ka humbur nga moszbatimi i vendimit“, theksoi Prof. Muhamet Kelmendi. Për analistin politik, Florim Zeqa, kjo sjellje e kundërligjshme e nivelit lokal karshi vendimeve fuqiplota të nivelit qendror ndodh vetëm në vendin e paradokseve të quajtur Kosovë, ku çdo gjë është e mundur të ndodhë, e të mos flasim për sistemin e drejtësisë dhe qeverisjes së vendit, që është i kapur tmerrësisht nga oligarkët e pushtetit. „Askund në vendet e zhvilluara dhe demokratike nuk ndodh që vendimet e shkallës më të lartë të mos zbatohen nga ato më të ulëta. Kjo ndodh vetëm në shtetin e Kosovës, pikërisht në qeverisjen e kryeqytetit, kur krerët komunalë refuzojnë t’i zbatojnë vendimet e plotfuqishme të MMPH-së si organ i shkallës së dytë sipërore në procedurë administrative, me të cilat vendime Ministria e Mjedisit kishte shfuqizuar vendimet e paligjshme të Komunës dhe kishte aprovuar kërkesën e investitorit, përderisa Komuna ka pasur mundësi ta dërgojë rastin në Konflikt administrativ në Gjykatën Themelore – Departamenti Administrativ në Prishtinë, por në mungesë faktesh nuk e ka bërë një gjë të tillë“, u shpreh analisti Florim Zeqa. Ai konsideron se bllokimi i investimit 80 milionësh, ku bën pjesë edhe hoteli ‚HILTON‘ dhe te punësimit të 2000 punëtorëve në qendrën e paraparë tregtare në një pronë krejtësisht private nga pushtetarët komunalë të Prishtinës, përveçse padrejtësi njerëzore, paraqet shkelje të rëndë ligjore, duke i shkaktuar dëme të pallogaritshme investitorit, duke dëmtuar njëkohësisht edhe ekonominë e vendit,nga pamundësia e punësimit të 2000 punëtorëve, oligarkët e pushtetit komunal kanë rënduar e përkeqë- suar edhe më tej jetën e mijëra familjeve kosovare.

Be the first to comment

Leave a Reply