Jeta ferr e Zenelit, pa grua dhe pa kushte elementare

Me 40 euro ndihmë sociale nuk mund të bëj kurrfarë jete“

Jeta e kishte katandisur keq Afrim Zenelin nga fshati Mirenë, komunës së Lipjanit. Ai kishte pesë vjet që po jetonte i vetmuar në një shtëpi në këtë fshat, e cila më shumë i ngjasonte një objekti të pabanueshëm apo një kasolle sesa një objekti ku mund të bëhej jetë njeriu. E gjithë kjo pasi që shtëpia ishte e stërvjetëruar dhe se Zeneli nuk po kishte mundësi financiare ta rinovonte apo për ta ndërtonte një të re. Jeta brenda mureve të kësaj shtëpie ishte e zymtë, një ambient ku gjithçka nuk ishte në vendin e vet, e mbi të gjitha gjithçka shihej se mungonte. Pak dru në një dhomë të vetme, ku ai po jetonte, gjësende nëpër tokë, një pjatë e madhe e mbushur me ushqim që sigurisht se e kishte përgatitur Zeneli, të cilat ia kishte falur motra, ishin këto pamjet fillestare që ta tmerrojnë shpirtin. Mjerimi nuk ka tjetër emër. Po thuajse mungonte gjithçka, e aspak më mirë nuk kishe se çfarë të shihej edhe nga jashtë kësaj shtëpie

I harruar nga institucionet

Një shtëpi e stërvjetruar, gati e rrënuar, e që më shumë mund të linte përshtypjen e një shtëpie të braktisur sesa të dikujt që banonte aty. Pa dyshim se pamjet brenda e jashtë shtëpisë të sillnin tek një pyetje e vetme, që sigurisht se do të kishte të bënte me fatin e Zenelit, e pyetja ishte a është i harruar ky njeri nga institucionet, por edhe nga shoqëria? Përgjigjja do të ishte një ‚Po‘ e madhe. Mbi të gjitha duke u përballuar me këtë jetë të vështirë të vuajtjes e skamjes sigurisht se Zeneli i kishte humbur shpresat për ditë më të mira. Ishin vetëm 40 euro ndihmë sociale që po i merrte dhe më to ai e kishte të qartë se nuk do të kishte mundësi të bënte jetë normale, e lëre më të rregullonte ambientin apo të ndërtonte diçka. „40 euro pa dyshim se janë të pamjaftueshme kur kemi parasysh nevojat që mund t’i ketë çdo njeri. Nuk më mjaftojnë për të siguruar as ushqimin e lëre më për kushte tjera“, është shprehur ai, duke shtuar se i ndodh të mbetet edhe pa gjërat më elementare dhe në këto raste thotë se del për të kërkuar punë dhe do të punonte sikur edhe të merrte pesë euro në ditë. Zeneli ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve është keq sa u përket gjërave elementare, si kripa, sheqeri, vaji, detergjenti etj. Ndryshe, Zeneli thotë se e ka hallin se një ditë mund t’i shembet edhe shtëpia dhe ta zërë në gjumë. Pohon se uji kur ka të reshura i hyn brenda, gjithandej, kurse njofton se vetë mundohet që të largojë ujin dhe t’i thajë gjërat e lagura.

Pak dru për dimër

Për më shumë Zeneli thotë se nuk e mban mend se sa është e vjetër shtëpia. Flet për vjetërsinë e saj, por pa e ditur edhe vitin. Mbi të gjitha, ai e kishte humbur edhe orientimin për jetë prej kur para pesë vitesh i kishte vdekur bashkëshortja në lindje, së bashku me foshnjën.“Nuk e di shkakun e vdekjes, por kështu më ka ndodhur“,thotë ai, duke përkujtuar një kohë të vështirë për të. Tani, Zeneli thotë se e ka shumë të vështirë të jetojë i vetmuar, por që nuk ka se çfarë të bëjë. „Vështirë ,por çfarë të bësh“, thoshte ai, duke tundur kokën. Tani ai vazhdon të jetojë i vetmuar me halle të shumta. Jeta në vetmi është e rëndë. Thekson se vera i kalon disi, kurse gjatë dimrit mezi i kalon ditët. Ai bën të ditur edhe për vështirësitë me të cilat përballet gjatë dimrit. Pohon se ka pak dru për dimër, të cilat ia ka sjellë një dhëndër. Kurse i përshkruan si mjaft të vështira edhe ditët e ftohta të dimrit në ketë anë, e në veçanti për shkak të mungesës së kushteve elementare ai izolohet edhe më shumë. Mbi të gjitha thotë se shtëpia e stërvjetëruar, me mure të çara, me dyer dhe dritare më shumë të improvizura, nuk i krijojnë ambient të ngrohtë atij.“Ftohtë është shumë këtu, në këtë shtëpi, gjatë ditëve me acar. Nuk kam as shtrojë e as mbulojë të mjaftueshme, por as rroba të trasha për dimër“, thoshte ai. Mbi të gjitha Zeneli shpreson se një ditë do të gjejë fatin e tij të jetës. Ai nuk e mohon faktin se do të martohet sërish. Thekson se do të presë deri në kësmet, siç thuhet në popull. Përndryshe, këtu edhe përfunduam bisedën me këtë qytetar, që pa dyshim se kishte nevojë për gjithçka. Ai po bënte një jetë të vështirë pa kulm të sigurt mbi kokë dhe në mungesë të gjërave më elementare për jetë. Shpresat i kemi tek ju bamirës, që fillimisht të vizitoni këtë person e pastaj të njoftoheni për së afërmi me të thënat e të pathënat në këtë tekst. Por, pa dyshim se përgjegjësia u bie institucioneve gjegjëse, që të bëjnë më shumë për këtë qytetar dhe shumë të tjerë si ky. Prandaj, të gjithë ata të cilët kanë mundësi t’i ndihmojnë këtij nevojtari mund ta bëjnë këtë duke thirrur në numrin e telefonit: 044 414 – 439.

auto_afrim_zeneli_11479833547

auto_afrim_zeneli_41479833565

auto_afrim_zeneli_71479833585

auto_afrim_zeneli_81479833609

auto_afrim_zeneli_111479833668

auto_afrim_zeneli_121479833534

Be the first to comment

Leave a Reply