UEFA me dënime të reja për kampionin e Shqipërisë për montim të rezultatesh

 

Organi më i lartë i futbollit evropian, UEFA, po përgatitet për një tjetër dënim të rëndë ndaj kampionëve të Shqipërisë, Skënderbeut, skuadër e konsideruar prej tyre si e përfshirë në një investigim për shitje ndeshjesh.

Sipas agjencisë amerikane të lajmeve Associated Press, shefi i sektorit të integritetit dhe çështjeve disiplinore të UEFA-s, Emilio Garcia, ka theksuar se vendimi për të pezulluar me një vit përjashtim nga pjesëmarrja në aktivitetet evropiane ka qene thjesht një dënim provizor.

Sipas tij, organet disiplinore të UEFA-s janë duke konsideruar një dënim disiplinor të skuadrës Shqiptare. Gjithçka është bërë e ditur ditën e mërkurë në Gjenevë të Zvicrës, ku është zhvilluar konferenca e integritetit të sporteve. Në këtë mënyrë shpjegohet edhe vonesa kaq e gjatë e arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës, raporton Top Channel.

Ndryshimi i hetimit të çështjes nga administrative në disiplinore, ka dhe një përshkallëzim serioz të masës së ndëshkimit. Në muajin korrik të këtij viti skuadra kampione e Shqipërisë, Skënderbeu është pezulluar nga aktivitetet e Ligës së Kampionëve për sezonin 2016/2017 nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s i bazuar në disa dyshime të forta për përfshirje të skuadrës korçare në fiksime rezultatesh.

Skënderbeu u hoq nga përballja që do të kishte me skuadrën hungareze të Ferencvarosh, ndeshje e vlefshme për raundin e dytë preliminar të këtij turneu. Sipas Garcias, skuadra shqiptare është e dyshuar për dy ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe dy ndeshjeve të fazës së grupeve të Europa League gjatë vitit 2015.

Be the first to comment

Leave a Reply