Mustafa e Thaçi janë bërë kukulla të Serbisë, thotë opozita

Me gjithë tensionimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, Prishtina dhe Beogradi, nesër pritet t’i vazhdojnë bisedimet në Bruksel, në kuadër të dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, por kësaj radhe më ndryshe. Delegacionet për herë të parë përfaqësohen në nivel presidentësh.

Ngjarjet e fundit, që kanë rezultuar me arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në Francë, tentativa e futjes së trenit propagandues serb në territorin e Kosovës, si dhe zhvillimet në veriun e Mitrovicës, kanë ngjallur reagime dhe kundërshtime të mëdha në Prishtinë, sa i përket vazhdimit të dialogut.

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë deklaruar kundër vazhdimit të dialogut me Serbinë, madje ata thënë se Mustafa e Thaçi janë bërë kukulla të Serbisë dhe nuk kanë legjitimitet për bisedime. Kurse, shoqëria civile thotë se nesër nuk bisedohet për çështjet ku ka mbetur procesi i dialoguar por për tensionimin e raporteve.

Qeveria e Kosovës nuk ka preferuar të japë detaje rreth takimit të nesërm, që do të mbahet në Bruksel. E vetmja informatë e dhënë nga Qeveria, është rreth përbërjes së delegacionit kosovar, pjesë e së cilit përveç kryeministrit Isa Mustafa, kësaj radhe do të jetë dhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, tha se në takimet e 24 janarit që do të mbahen në Bruksel, delegacioni i Republikës së Kosovës do të përbëhet nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa.

“Kryeministri Isa Mustafa është në koordinim të plotë me presidentin Thaçi për pjesëmarrjen në takimet e radhës në Bruksel”, ka thënë Abrashi.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin dhe presidentin për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Sipas Haradinajt, kryeministri Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi, janë shndërruar në kukulla të Serbisë. Ish kryeministri ka deklaruar se është kundër dialogut pa kushte, për siç tha ai, pas sulmeve të njëpasnjëshme të shtetit serb ndaj Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka deklaruar se Mustafa e Thaçi nuk kanë mandat për dialogun në Bruksel, derisa ka kërkuar një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, për të cilën tha se Vetëvendosje po angazhohet për mbledhjen e nënshkrimeve.

Nisma për Kosovën konsideron se vazhdimi i këtyre bisedimeve pas provokimeve dhe kërcënimeve të një pas njëshme nga ana e Serbisë duke filluar nga Asociacioni i Komunave Serbe e duke vazhduar me ndërtimin e murit që ndanë qytetin e Mitrovicës, ndalimin e Ramush Haradinajt nga Interpoli në Francë me urdhër arrest të lëshuar nga Serbia dhe provokimi me Trenin Rus nuk është asgjë tjetër pos nënshtrim ndaj Serbisë dhe shitje e interesave të vendit për interesa personale të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.

Be the first to comment

Leave a Reply