Mustafa angazhon të dëgjueshmin e tij nga ASHAK për matje të territorit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka caktuar kreun e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) për ta drejtuar një komision që do ta bëjë matjen e territorit të vendit.

Në takimin inaugurues të këtij komisioni, Mustafa përmendi arsyet pse ka ndërmarrë iniciativën për themelimin e këtij trupi për të cilin tha se do të funksionojë i pavarur nga qeveria.

Por partitë opozitare të ftuara për të qenë në përbërje të komisionit bojkotuan takimin e parë, ashtu siç kishin paralajmëruar.

“Ne si qeveri nuk do të japim udhëzime se si do të punojë komisioni sepse komisioni është profesional. Ne do të mbështesim në mënyrë logjistike punën e tij”, tha kryeministri.

Ai tha se kjo është një “ndërmarrje shumë e rëndësishme” për vendin sepse, sipas tij, qytetarët e Kosovës kanë dëshirë të dinë se sa është territori i Kosovës.

“Edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta dijë se sa është territori i atij vendi që e kanë njohur shumë shtete”, tha Mustafa.

“Fjala është për një përgjigje të saktë dhe kjo përgjigje është e duhur për çdokënd, për Kuvendin, opozitë e pozitë, institucionet e vendit, faktorin ndërkombëtar”, tha Mustafa.

Ideja për këtë komision erdhi para disa javëve meqë një marrëveshje për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e nënshkruar në gusht të vitit 2015, nuk është ratifikuar ende në Kuvend në mungesë të mbështetjes nga ana e deputetëve.

Në shtator të vitit të kaluar, qeveria e hodhi në Kuvend këtë marrëveshje për votim, por kryeministri e tërhoqi atë nga procedura parlamentare pak para se të votohej.

Bashkimi Europian, nga ana tjetër, e ka vendosur ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, në krye të kushteve për liberalizim të vizave për Kosovën.

Kësisoj, qeveria tani e la këtë çështje e ka lënë në duar të ekspertëve.

“Unë kisha propozu në emër të qeverisë që Kryetari i Akademisë dhe Arteve, Hivzi Islami, ta drejtojë këtë komision”, tha Mustafa në këtë takim.

“Prej këtij momenti ne po ua lëmë në duar që ju ta udhëhiqni këtë komision. Ne e vlerësojmë këtë përkushtim dhe punë e juaj dhe presim që këtë punë ta kryeni me përgjegjësi dhe ndershmëri”, tha ai.

Ndërsa Hivzi Islami, duke folur për detyrën e marrë, tha se ëhstë i vetëdijshëm për sfidat që e presin.

“Detyra nuk është e lehtë as e pëlqyeshme as popullarizuese ngase materia nuk është e lehtë meqë tash e një kohë ka pasur debate për këtë”, tha islami.

“Ky komision nuk do të merret me shkaqet dhe politikën e kufirit siç është demarkimi por do të bëjë matjen e territorit”, tha kryetari i AShAK.

Por për këtë ai e kërkoi konsensusin politik në vend.

“Është e nevojshme konsensusi politik dhe ai i institucionëve. Mjerisht sot vërehet se kryeministrit nuk i janë përgjigjur disa subjekte që kanë qenë kritikues të kësaj çështjeje”, tha Islami.

 

Be the first to comment

Leave a Reply