694 të burgosur kërkojnë të falen nga Thaçi

Zyrës së Presidencës i kanë shkuar vetëm këtë vit 694 kërkesa nga të burgosurit për faljen e dënimit të tyre.

Sipas Zyrës për Informim të Ministrisë së Drejtësisë 694 të burgosur kanë kërkuar sivjet që t’u falen dënimet nga Presidenti Thaçi.

“Numri total i kërkesave për falje që kanë shkuar në Presidencë është 694”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyreje.

Presidenti i vendit sipas kushtetutës e ka në kompetencë faljen e të dënuarve në raste të veçanta.

Zakonisht falja bëhet në ditët e shënuara siç është 17 Shkurti-dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Të drejtë të falen sipas Kodit Penal të Kosovës nuk kanë ata që ndonjëherë kanë përfituar nga falja presidenciale dhe personat të cilëve nuk u janë bërë të plotfuqishme dënimet.

KALLXO.com i ka shkruar Zyrës së Presidencës për të pyetur nëse i pari i vendit do të falë sivjet të burgosur, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Ish-Presidentja Atifete Jahjaga nuk fali asnjë të burgosur në vitet 2015 dhe 2016. Faljen e fundit të të burgosurve ajo e bëri në vitin 2014.

Falja e të burgosurve nisi në vitin 2009 nga ish-Presidenti Sejdiu në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar për falje që presidentët u bënë edhe disa personave që duhej të vazhdonin  të qëndronin në burg.

Be the first to comment

Leave a Reply