Kultura jonë seksuale, ma larg se yjet

Në listën e gjatë të ”turpeve” që dënojnë gratë shqiptare rreshtohet edhe turpi nga kënaqësia seksuale.

Eksitimi, pika G, loja erotike, gjeografia e trupit janë tabu të paprekshme të kulturës tonë ”puritane”.

Shumica e grave kanë pasë një qasje të parë seksuale negative, një qasje që ka ardhë si rrjedhojë e pashmangshme e një martese të padëshirume, një mungese tërheqjeje fizike me seksin tjetër, një akti të ftohtë dhe aspak intim…

Gratë kanë të ngulur si shkamb idenë se seksi nuk asht aq i randsishëm per to. Një pjesë e mirë e tyne e minimizojnë sensin e raportit vetëm brenda procesit të riprodhimit ose për ma tepër trupi jo rrallë konsiderohet (edhe nga vetë gratë) si një objekt shfryrjeje tërësisht në funksion të burrave. Pasiviteti dhe dorëheqja e grave nga kënaqësia fizike pothuajse e ligjëron mësimin e gabum se burrat e kanë ”të domosdoshëm” aktivitetin seksual dhe gratë duhet të rrinë gaditu ndaj këtij instikti të paparashikushëm edhe nëse nuk respekton apo nuk përkon me kërkesat e tyne.

Edhe një herë, gratë shkelin të drejtën vetjake ne emën të vetëflijimit si xhest-kult. Konsumimi i njëanshëm jo vetëm që asht indinjues dhe i padrejtë, por tregon një pakujdesi dhe pandjeshmëri shqetësuse të njëres palë (pothuajse gjithmonë të burrave) për palën tjetër.

Asht anormale, qesharake, e pakonceptueshme që një grua shqiptare të shkëpusë një marrëdhanie (sidomos një martesë) me arsyen se nuk stimulohet fizikisht nga partneri i saj dhe vuan boshllëkun e jetës seksuale.

Liria e mendjes nuk mund të zgjasë pa lirinë e trupit. Por fatkeqësisht, per gratë shqiptare të shekullit tonë, ende ky slogan duket ma i largët se yjet.

BotaSot!

Be the first to comment

Leave a Reply