Kupat në Prishtinë

Sigal Prishtina ka arritur të mbrojë me sukses trofeun e Kupës, pasi në finalen e zhvilluar në ‘Minatori’ të Mitrovicës mposhti Pejën me rezultat 77:66. Përballje finale ishte mjaft interesante dhe dramatike deri në fund, por prishtinasit ishin më të vëmendshëm dhe fituan trofeun e parë në këtë edicion. Në konkurrencën e femrave, Penti Prishtina mundi Penzën 81:77

Kupa e 12-të për bardhekaltrit

Sigal Prishtina ka fituar Kupën e Kosovës në basketboll. Bardhekaltrit në ndeshjen finale kanë mundur Pejën me rezultat 77:66. Ndeshja finale ka qenë mjaft interesante dhe dramatike, ashtu si gjithmonë kur përballen këto dy skuadra me rivalitet mjaft të madh. Megjithatë, prishtinasit kanë qenë më të vëmendshëm në fund, sidomos në minutën e fundit dhe arritën të triumfojnë në ‘Minatori’ të Mitrovicës, duke e shtuar edhe një trofe në sirtar, shkruan gazeta Kosova Sot.

Dramë deri në fund

Çereku i parë ishte i barabartë me të dy skuadrat që luftonin për çdo top, derisa nuk arrinin të shkëputeshin në rezultat. Kjo pjesë përfundoi 18:18, derisa duhet veçuar lojën e mirë të Drilon Hajrizit. Edhe në dhjetëminutëshin e dytë u zhvillua një takim shumë interesant me Pejën që ishte më e vendosur, derisa prishtinasit humbnin shumë topa dhe assesi nuk arrinin të kontrollojnë lojën. 22:18 ishte rezultati i kësaj pjese dhe verdhezinjtë shkuan me katër pikë dallim në pushim. Në çerekun e tretë Peja e thelloi edhe më shumë epërsinë dhe dukej shumë e vendosur për të triumfuar në këtë finale. Kjo pjesë u karakterizua me mbrojtje të fortë, derisa pejanët e fituan 14:11. Me shtatë pikë dallim Peja e nisi çerekun i katërt që ishte fatal për ta. Prishtina u zgjua dhe shënoi nëntë pikë radhazi për 56:54, duke lënë Pejën pa shënuar për më shumë se tre minuta. Më pas u zhvillua lojë e barabartë deri në minutën e fundit, ku Prishtina ishte shumë më e vëmendshme dhe efikase, duke fituar 77:66. Fuquan Edwin ishte shënuesi më i mirë te Prishtina me 23 pikë, derisa Drilon Hajrizi kontribuoi me 17. Cameron Rundels u dallua te Peja me 21 pikë. Kjo ishte Kupa e 12-të për Prishtinën, që kishte triumfuar edhe edicionin e kaluar.

Hajrizi, MVP i finales

Drilon Hajrizi u shpall MVP i finales, derisa ishte i lumtur me Kupën e parë në fanellën e Prishtinës dhe atë e fitoi pikërisht në ‘Minatori’, ku është rritur. “Jetës nuk i dihet. Thuaj çka të thuash, mos e mendo shumë të ardhmen se nuk i dihet të ardhmes”, ka thënë Hajrizi, i cili ishte i kënaqur me triumfin në finale. “Sa i përket lojës kemi treguar një karakter shumë të madh. Kemi arrit me u kthye si ekip edhe t’i ndihmojmë njëri-tjetrit”, deklaroi basketbollisti nga Mitrovica. Ai kaloi në Prishtinë pikërisht nga Peja.

Penti Prishtina triumfon te femrat

Skuadra e Penti Prishtinës, e drejtuar nga trajneri Fidan Shatri, ka arritur që ta kthejë Kupën e Kosovës në kryeqytet duke e mposhtur mbrojtësen e trofeut, Penzën, në finale me katër pikë dallim 81:77. Derisa pjesa e parë i takoi ekipit prishtinas, Penza shfaqi shenja këndelljeje në çerekun e tretë dhe afroi shumë lojën në fund, por prapëseprapë në fund bardhekaltrat ruajtën epërsinë për të triumfuar. Kapitenia Arbnore Përquku ka qenë fantastike në këtë ndeshje. Ajo nuk ka pushuar për asnjë sekondë, duke luajtur 40 minuta dhe duke shënuar 23 pikë, 7 kërcime e 8 asistime për skuadrën. Ajo u shpall edhe MVP e ndeshjes finale. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Zërina Shatri me 20 pikë e 12 kërcime, ndërsa Gentiana Ismaili shtoi 14 pikë të tjera në fitore. Te Penza, rezistencë më të madhe dhanë Irma Konjusha me 25 pikë, 10 kërcime e 7 asistime. Pastaj Jeta Zeka me 17 pikë e Saranda Daci me 13 të tjera, që nuk mjaftuan për të mbrojtur titullin.

(Kosova Sot)

Image

Be the first to comment

Leave a Reply