Spanja dominuese në futbollin Europian

Në Europë ligjin e bën sërish Spanja. Në 3 vitet e fundit të dyja kompeticionet europiane janë fituar nga skuadrat e La Ligas, Reali i Madridit dhe Barcelona kanë triumfuar në Champions ndërsa Sevilla në Europa League. Historia mund të përsëritet edhe këtë vit edhe pse e sigurtë është që në Europa League nuk do të jetë më Sevilla, skuadra fituese por vendin e andaluziane mund ta marrë Celta Vigo.

Kur janë përcaktuar 8 skuadrat cerekfinaliste të Champions-it dhe 8 skuadrat cerekfinaliste të Europa League vihet re që Spanja dominon krahasuar me kampionatet e tjera të rëndësishme në Europë. La Liga aktualisht ka në lojë 4 skuadra, Barcelonën, Realin dhe Atleticon në Champions dhe Celtan në Europa League. Vetëm Gjermania i afrohet disi Spanjës, pasi Bundesliga vjen në këtë ruand me 3 ekipe, Bayernin dhe Borussian e Dortmundit në Champions League dhe Schalken në Europa League. Me 2 skuadra në dy kompeticionet europiane aktualisht janë 3 kampionate, liga e parë franceze, Premier League angleze dhe Jupiler League e Belgjikës.

Gjithmonë e më shumë në rënie, Seria A italiane pasi është parakaluar edhe nga kampionati belg. Juventusi mban lart nderin e Serisë A në Europë pasi është skuadra e vetme nga ky kampionat e mbetur në lojë pas eliminimit të Romës nga Europa League. Franca ndërkohë përfaqësohet nga Monaco dhe Lyoni, Anglia nga Leicesteri dhe Manchester United, ndërsa Belgjika nga Genk dhe Anderlecht me të dyja këto dy skuadra që janë pjesë e fazës cerekfinale të Europa League. Ashtu si Italia që krenohet me Juventusin me një skuadër përfaqësohen edhe 2 shtete të tjera, Turqia nga Beshiktashi dhe Holanda nga Ajaxi.

(Kosova Sot)

Be the first to comment

Leave a Reply