Frika nga terrorizmi, në aeroporte ndalohen dhe laptopët

Ditën që u shpall vdekja e një ish-lideri të IRA-s, fushata terroriste e të cilit kishte tronditur Britaninë e Madhe për më shumë se dy dekada, erdhi një tjetër kujtues i kërcënimit që i zuri vendin. Martin McGuinness dhe republikanët ndjekës të tij mund të kenë hequr dorë nga dhuna por qëllimi i xhihadistëve për të shkaktuar kërdi maksimale mbetet një kërcënim vdekjeprurës, shkruan “The Telegraph”.

Që prej sulmeve të 11 Shtatorit në Amerikë 16 vite më parë, militantët islamikë janë përpjekur ta përsërisin atë mizori duke vënë në objektiv kompanitë ajrore. Shumë komplote janë deshifruar, përfshirë edhe atë të shpërthimit të bombave në një varg avionësh mbi Atlantik.

Si rezultat, siguria ajrore është tashmë intensive. Lëngjet nuk lejohen më në avion siç nuk lejohen, kuptohet, as mjetet e mprehta që mund të përdoren për të sulmuar ekuipazhin. Shumica jonë e pranojnë shqetësimin në kontrollet aeroportuale në shkallë të ndryshme: Nëse bëhet fjalë për jetët tona, atëherë pse të mos harxhojmë pak kohë në radhë në mënyrë që të garantohet siguria sa më shumë të jetë e mundur?

Tani vjen një tjetër masë që premton të ketë impakt të rëndësishëm tek udhëtarët. Së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe vendosi ndalimin e laptopëve, tabletave dhe DVD playerave nga bagazhi i dorës nga disa shtete dhe aeroporte të caktuara. Avionët që do të udhëtojnë nga gjashtë shtete, përfshirë Turqinë, janë pjesë e ndalesës, që përfshin 14 kompani ndërkombëtare.

Vendimi bazohet në raporte inteligjence se xhihadistët po kërkojnë të fshehin bomba në bordin e avionëve për t’i shpërthyer më pas gjatë fluturimit. Ky nuk është një kërcënim bosh; vitin e kaluar një kamikz në një avion somalez shpërtheu bombën e fshehur në laptop por vrau vetëm veten. Pajisja shpërthyese ishte sofistikuar mjaftueshëm për të kaluar në aeroport nëpërmjet skanerave me rreze X pa u dalluar.

Prandaj kjo është një çështje serioze pavarësisht se përgjigjja është konfuze. Amerikanët njoftuan masa të ngjashme (dje) por që kanë ndikim tek udhëtarët e 10 aeroporteve në tetë shtete. Është e paqartë pse qasja e adoptuar nga SHBA-të dhe Britania e Madhe është e ndryshme. Për më tepër, a nuk mundet terroristi të kalojë nëpërmjet aeroporteve apo vendeve të tjera për të shmangur ndalesë – pra pse nuk aplikohet e njëjta masë tek të gjithë fluturimet?

Në mënyrë të pashmangshme, kritikët e Presidentit Trump janë rrekur ta nxjerrin këtë si një tjetër ligj anti-imigrim, kur justifikohet vetëm nga arsye sigurie. Por, pasagjerët kanë të drejtë për një qasje të qëndrueshme nëse do të ruajnë besimin në sigurinë ajrore.

Be the first to comment

Leave a Reply