Ja çka do t’i bëj Gjykata Speciale Kosovës

Nisja e ngritjes së aktakuzave të para nga Gjykata Speciale, do të sjellë vetëm zhurmë në Kuvendin e Kosovës dhe protesta në rrugë të cilat nuk pritet të merren parasysh. Kështu ka deklaruar për “Indeksonline” analisti Bajrush Morina.

Dorëzimi i rregullores për Procedurë dhe Prova nga Dhomat e Specializuara në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për të shqyrtuar nëse ajo përputhet me Kushtetutën e Kosovës, për Morinën është hap i vonuar.

Sipas tij, Kosova gjithsesi është mësuar për vonesa në të gjitha proceset.

“Hap i vonuar por më mirë vonë se sa kurrë. Pengesat juridike tashmë janë tejkaluar me ndryshimet kushtetuese. Tash fjalën e ka Gjykata Speciale. Krejt cka do të kemi ne në Kosovë, janë zhurma në Kuvend dhe protesta eventuale në rrugë. Tashti ne jemi të vonuar në të gjitha proceset, edhe të integrimit, edhe të lëvizjes së lirë, edhe të proceseve gjyqësore. Gjithçka vjen me vonesë, asgjë nuk vjen me kohë në vendin tonë”, ka thënë ai.
Ndryshe, Morina është shprehur se reagimet që do të vinë me ngritjen e procedurave nuk do të ndikojnë në procedura.

Ndërsa, sipas tij, aktakuzat pritet të sjellin “mungesë” të ndonjë zyrtari të lartë në skenën politike.

“Sigurisht se nuk do të priten mirë. Pres reagime politike por edhe protesta në rrugë. Veç një gjë e di se trupi gjykues dhe Gjykata si institucion nuk do të zbrapsen nga këto reagime.Bile as që do të mërziten fare. Nuk pres ndonjë ndryshim të madh. Pres ndonjë “mungesë” në skenën politike e institucionale të ndonjë pushtetari apo zyrtari politik. Edhe ashtu janë shumë…nuk do të na mungojnë aq shumë!”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, sot Dhomat e Specializuara i kanë dërguar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës rregulloren për Procedurë dhe Prova për të shqyrtuar nëse ajo përputhet me Kushtetutën e Kosovës. Afati për shqyrtim është 30 ditë.

Be the first to comment

Leave a Reply