Skandalet „zgjojnë nga gjumi“ skuadrat e mëdha

Asnjë fitore për skuadrat vendase, statistikë kjo që nuk ndodh shpesh.

Besa javën e kaluar kishte pësuar humbje befasuese nga Trepça, ndeshje kjo që u kontestua shumë me dyshime për manipulime. Këtë herë Besa „u zgjua“, duke e deklasuar Hajvalinë. Edhe Feronikeli, i cili u akuzua javën e kaluar, këtë herë është treguar i pamëshirshëm ndaj Ferizajt
S kandalet e fundit, që e përcollën futbollin kosovar, sikur kanë ndikuar te klubet e Vala Superligës, të cilat në javën e 24-t kanë treguar futboll jashtëzakonisht të fortë dhe pa asnjë kalkulim. Kjo edhe bëri që gjitha ekipet favorite të shënojnë fitore, duke e bërë kështu njërën nga javët më interesante të futbollit kosovar. Skuadrat favorite këtë herë janë treguar shumë këmbëngulëse dhe nuk kanë pasur aspak mëshirë për ekipet, që po luftojnë për ta siguruar ekzistencën. Këto rezultate të shënuara këtë mesjavë, sikur e kanë ndezur maksimalisht luftën si për titull, ashtu edhe për mbijetesë, pasi tashmë Feronikeli e ka shkrirë në vetëm 6 pikë diferencën e Trepçës’89, e cila sot do të përballet me Drenicën dhe do ta ketë shumë vështirë të marrë pikë.

Zgjohet Feronikeli

Kampioni aktual, Feronikeli, ka shënuar një fitore të madhe këtë mesjavë, duke e mposhtur Ferizajn me rezultat 4:0, për t’i rritur kështu edhe njëherë shpresat për titullin e kampionit. Skuadra e Afrim Tovërlanit, pas disfatës befasuese në javën e kaluar nga Drenica, ndeshje kjo që u përfol për mundësi manipulimi, këtë herë u paraqit tamam në stilin e kampionit, duke e mposhtur bindshëm dhe me plot meritë Ferizajn, skuadër kjo që pas kësaj humbjeje e ka bërë më të vështirë mbijetesën në shoqërinë elite. Takimi ndërmjet këtyre dy skuadrave solli një lojë të fortë, por vetëm në pjesën e parë, e cila ishte e barabartë dhe këtë e dëshmon rezultati 0:0. Në 45 minutëshin e dytë është parë vetëm një skuadër dhe ajo ishte Feronikeli, që dominoi plotë- sisht. Ishte sulmuesi vushtrrias, Labinot Osmani, ai që hapi serinë e golave për mysafirët, derisa epërsinë e dyfishoi Mentor Zhdrella pas një asisti të bukur nga Mark Milicaj. Deri në fund të ndeshjes „Nikli“ shënoi edhe dy herë përmes Blerand Kurtishajt, i cili kthehet në ekip pas një pauze bukur të gjatë, për shkak të lëndimit, derisa epilogun përfundimtar e vendosi Labinot Osmani, për të cilin ishte goli i dytë në këtë sfidë.

Khalid e „shuk“ Dritën

Ndeshja më e përfolur gjatë kësaj jave ajo ndërmjet Dritës e Prishtinës, ka sjellë një lojë të bukur, por që u dominua në çdo aspekt nga Prishtina, e cila fitoi me rezultat 3:1. Vetëm një ditë para kësaj ndeshjeje, trajneri i Dritës, Ismet Munishi, u përfshi në një skandal, ku ishte parë në takim me gjyqtarin që ishte paraparë ta ndajë drejtësinë në ndeshjen Drita – Prishtina, Bajram Gashin. Pas publikimit në medie të këtij takimi, Federata e Futbollit e Kosovës vendosi ta anulojë këtë delegim, duke dërguar një tjetër gjyqtar për ndeshjen, derisa Drita vendosi ta suspendojë trajnerin Ismet Munishi. Kjo duket se ndikoi te ekipi gjilanas, i cili pavarësisht se kishte mbështetje të madhe të tifozëve „Intelektualët“, në fushë dukej e humbur dhe assesi nuk arriti t’i bëjë ballë Prishtinës, e cila edhe pse duhet pranuar që nuk kishte shumë nevojë për pikë, ajo edhe një herë u tregua skuadër e madhe, duke mos kalkuluar fare dhe me meritë fitoi me rezultat 3:1. Ishte sulmuesi Basid Khalid ai që shënoi tre golat për Prishtinën, ndërsa Alban Shillova realizoi për Dritën. Një skuadër shumë korrekte është treguar dhe Llapi, e cila pavarësisht se tashmë ka mbetur mbrapa luftës për titull, është paraqitur jashtëzakonisht mirë në ndeshjen me Trepçën, duke e mposhtur në Mitrovicë me rezultat 3:1, humbje kjo që maksimalisht ia ka humbur shpresat „xehetarëve“ për mbijetesë. Një fitore ashtu siç ishte pritur e ka shënuar Besa, e cila u tregua e pamëshirshme ndaj Hajvalisë, të cilën e mposhti me rezultat 6:1. Besa pas humbjes befasuese në javën e kaluar ndaj Trepçës, këtë herë është treguar më syçelë, duke e mposhtur Hajvalinë, e cila veçse ka hequr dorë nga Vala Superliga dhe në edicionin e ardhshëm do të bëjë gara në një rang më poshtë.

Sot, dy ndeshje shumë të forta

Java e 24-t mbyllet me dy ndeshjet, që zhvillohen sot në Skenderaj dhe Gjilan, ku pritet të zhvillohen dy ballafaqime jashtëzakonisht interesante. Drenica, e cila javën e kaluar bëri befasinë më të madhe, duke e mposhtur Feronikelin, sot në Skenderaj e pret liderin e tabelës Trepçën’89. Se a do të arrijnë kuqezinjtë me rezultate pozitive, e cila njëherësh do të bënte që lufta për titullin e kampionit të ndizet prapë, mbetet të shihet. Një është e sigurt se kjo ndeshje do të sjellë luftë shumë të madhe, pasi pikët janë tejet të nevojshme për të dyja ekipet. Në rast të fitores së Drenicës, atëherë kjo skuadër do të bënte një hap shumë të madh drejt ekzistencës dhe kështu ndeshjet e radhës do t’i priste shumë e qetë, kjo pasi ekipet rivale që luftojnë për t’i ikur barazhit u mposhtën këtë javë. Në anën tjetër Trepça’89 do të kërkojë medoemos të fitojnë dhe kështu me hapa të sigurt t’i afrohen titullit të kampionit. Një ndeshje tjetër që do të jetë shumë interesante është edhe ajo në Gjilan, ku ballafaqohen Gjilani e Liria. Të dyja ekipet kanë nevojë shumë për pikë, pasi pozita e tyre në tabelë nuk u lejon komoditet dhe kjo është arsyeja që të pritet një ndeshje shumë e fortë dhe pa kalkulime.

Be the first to comment

Leave a Reply