Mësohen temat e mbledhjes së dy qeveritë shqiptare më 24 prill

Takimi i dy qeverive Kosovë-Shqipëri që do të mbahet më 24 prill në Vlorë, fokus të veçantë do të ketë shkëmbimin tregtarë midis dy vendeve. Nuk do të ketë gamë të gjerë të çështjeve siç ka ndodhur në të kaluarën por do të trajtohen problemet që bizneset e dy shteteve kanë gjatë shkëmbimit tregtarë. Po ashtu, nuk do të diskutohet tregu i përbashkët ballkanik.

Këtë e ka bërë të ditur në një intervistë për KosovaPress, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Minxhozi: Takimi i dy qeverive fokus të veçantë ekonominë

“Është rënë dakord që Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës ta kenë takimin e përbashkët të radhës në Shqipëri. Është caktuar data 24 prill dhe ka një risi tjetër krahasuar me mbledhjet e kaluara sepse nuk do të ketë një gamë të gjerë problemesh që do të trajtohen. Ato do të fokusohen në pesë-gjashtë pika, ku më të rëndësishmet do të jenë ato të fushës së shkëmbimeve tregtare ekonomike, të lejes së punës, lejes së qëndrimit në të dy anët e kufirit“, tha Minxhozi.

Ai është pajtuar se në të shumtën e rasteve takimet nuk janë parë si produktive por po mundohet t’i thyejnë barrierat që janë mes dy vendeve.

Minxhozi: Besoj se do të kemi rezultatet konkrete

“Janë mundësit për të ecur prandaj kjo mbledhje do të afirmojë çfarë është arritur deri më tani por nga ana tjetër shikuar me një sy kritik, për t’i dhënë një zgjidhje imediate disa problemeve teknike, disa problemeve që pengojnë realisht ecin përpara ose thellimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës. Do të ketë, besoj, rezultate në fushat e doganave, për të ardhur krejt njësimit të praktikave doganore dhe për te hequr disa dokumente që janë të tepërta do të thosha unë, për t’i dhënë biznesit një frymëmarrje më të madhe në shërbimet midis tyre. Kjo mbledhje përgatitet duke pasur parasysh edhe kërkesat që kanë bërë bizneset e të dy anëve të kufirit, si në Shqipëri ose Kosovë dhe janë ndjekur me vëmendje të gjitha shqetësimet e tyre dhe besoj se do të marrin një zgjidhje në këtë takim.”, tha Minxhozi.

Sa i përket barrierave që kanë bizneset kosovare gjatë eksportit të mallrave në Shqipëri dhe anasjelltas dhe çka mund të presin nga ky takim, Minxhozi nuk pret që të zhduken të gjitha problemet por që të minimizohen.

Minxhozi: Ka vullnet por mungon zbatimi

“Do të ketë më pak, nuk them se problemet do të zhduken por do të minimizohen dhe pikërisht për këtë janë organizuar disa takime të ndryshme të odave ekonomike të Shqipërisë dhe Kosovës me grupe biznesi të cilat kanë dhënë mendime se si mund të zgjidhen këto çështje. Ajo që mungon sot nuk është fryma, fryma ekziston, por zbatimi, implementimi i kësaj fryme lënë për të dëshiruar. Prandaj ne po shikojmë për të hyrë sa më në detaje për të zgjidhë këto probleme një pjesë e të cilave nga ngelur në hije”, tha Minxhozi.

Bashkimi tregtarë sipas tij nuk do të diskutohet në këtë takim.

Minxhozi: Nuk diskutohet tregu i përbashkët ballkanik

“Nuk do të diskutohet kjo çështje. Ne kemi një çështje tjetër që është më prioritetet këtu, është ngritja apo hapja e një pike doganore të Kosovës në Portin e Durrësit. Urojmë që deri në prag të mbledhjes të kem marrë përgjigje për disa shqetësime që janë ngritur kryesisht nga pala kosovare”, tha Minxhozi.

Më 24 prill mbahet mbledhja e dy qeverive shqiptare. Të pranishëm në këtë takim do të jenë gjithë kabineti qeveritarë i të dyja qeverive.

Be the first to comment

Leave a Reply