Mushkolaj: Vetëm LDK-ja s’po e ka të qartë se i ka ardhur fundi koalicionit

Kryetari i Kuvendit dhe i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli të premten ka qenë shumë kritikë ndaj situatës në vend.

Ndonëse ai nuk ka treguar nëse koalicioni me LDK-në do të prishet, ka thënë se nuk mund t’i zhgënjejmë qytetarët për të ruajtur postet politike.

E sipas analistit politik Imer Mushkolaj, Veseli tashmë disa muaj ka nisur aktivitetin për prishje të koalicionit me LDK-në.

Ai ka thënë se në këtë situate vetëm partia e kryeministri Isa Mustafa duket se nuk e ka të qartë se koalicioni është drejt fundit.

“Gjithë aktiviteti i z.Veseli në muajt e fundit është në funksion të prishjes së koalicionit . Në këtë situatë vetëm LDK-ja s’po e ka të qartë se i ka ardhur fundi koalicionit dhe po përpiqen të gjejnë arsyetime ose thjeshtë t’ia bëjnë vetës mirë se nuk do të ndodh një gjë e tillë”, ka thënë Mushkolaj për lajmi.net.

Veseli të premten pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit , ku është caktuar për të mërkurën seanca për mosbesim ndaj Qeverisë Mustafa, ka thënë se nuk është Opozita ajo që mund ta rrëzojë Qeverinë, por që ka dhënë vërejtje për situatën në vend.

“Unë do të vazhdoj bisedimin me partnerin e koalicionit, por ajo që mund të them se situata nuk është e kënaqshme. Nuk është opozita ajo që vendos ne do të vazhdojmë bisedimet me partnerin e koalicionit ku kemi komunikim intensiv duke pasur parasysh edhe zhvillimet e fundit”, ka thënë Veseli të premten.

Ndërsa për analistin Mushkolaj PDK po dëshiron prishjen e koaliconit. Ai ka kujtuar se PDK është parti që nuk i respekton marrëveshjet.

“Është shumë e qartë që koalicioni do të prishet pasi kështu po dëshiron PDK-ja. Mocioni do të hidhet në votim dhe natyrisht së PDK-ja e ka në dorë nëse do ta votojë ose jo. Unë besojë që mocioni do të votohet”, është shprehur Mushkolaj.

Partneret e koalicionit janë shprehur edhe zyrtarisht se nëse nuk kalon marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme është mundësi reale.

Qeveria ndonëse ka paralajmëruar se procedimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi do të dërgohet brenda muajit prill, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ndërsa raportet mes partive në koalicion do të testohen të mërkurën, në seancën e jashtëzakonshme në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, i dorëzuar nga partitë opozitare.

Be the first to comment

Leave a Reply