Opozita e bindur se Qeveria Mustafa do të bie, s’do të mund ta procedojnë Demarkacionin

Partia opozitare, Nisma për Kosovën – e mbështetur nga AAK dhe Lëvizja Vetëvendosje, inicioi një mocion mosbesimi, me të cilin pretendohet rrëzimi i Qeverisë Mustafa. U mblodhën mbi 40 nënshkrime të deputetëve për këtë mocion, ndërsa të mërkurën nga ora 10:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme. Po ashtu, të mërkurën pas seancës të mocionit, u paralajmërua edhe mbajtja e mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, e cila u shty sot, e në të cilën do të procedohet projektligji i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Por, shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, tha për Periskopin se Demarkacioni nuk do të procedohet as të mërkurën, pasi sipas saj, në seancën e mocionit të mosbesimit, Qeveria Mustafa do të bie.

Ajo e quajti të kotë tentativën për Demarkacionin, shkruan Periskopi.

“Mustafa nuk e di as vetë se kur do ta riprocedojë demarkacionin. Ai ka thënë për sot, por dështoi. Ne e kemi thënë dhe prapë do të themi se kjo Qeveri thashmë ka rënë dhe Mustafa nuk do ta ketë fare mundësinë që ta procedojë Demarkacionin të mërkurën, pasi që në seancën që është thirr për rrëzim të tij, do të votohet iniciativa që e nënshkruan deputetët për rrëzimin e kësaj Qeverie. Prandaj, është e kotë edhe kjo tentativë. Ashtu siç ka dështuar që nga fillimi, dështoi edhe sot”, tha Bajrami për Periskopin.

Pas të mërkurës, Bajrami tha se shpreson në krijimin e një situate të re, e cila do të jetë përcaktuese për zgjedhjet e parakohshme.

“Besoj që do të kemi një situatë të re, e cila do të jetë përcaktuese edhe për zgjedhjet e parakohshme. Në momentin që e kemi filluar, kemi pasur besim të plotë që do t’i kemi nënshkrimet dhe votat. Andaj ashtu siç e thash, të mërkurën kjo Qeveri do të rrëzohet nga deputetët e Republikës së Kosovës”, tha më tej Bajrami.

Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një konferencë për media, ka folur lidhur me dështimin e sotëm për procedimin e Demarkacionit.

Ymeri tha se veprimet e sotme treguan se Qeveria edhe një herë nuk pati guxim dhe gatishmëri që ta sjellë Marrëveshjen aktuale të Demarkacionit në Kuvend, shkruan Periskopi.

“Sot e pamë edhe një zbrapsje të Qeverisë së Kosovës karshi marrëveshjes për demarkacioni. Edhe një herë Qeveria nuk pati guxim dhe gatishmëri ta sjelli marrëveshjen në Kuvend. Kjo marrëveshje është e dëmshme, dhe është mirë që sot nuk u procedua. Ratifikimi i kësaj marrëveshje do ta dëmtonte Kosovën. Marrëveshja për Demarkacion, të mos bëhet realitet. Kjo Qeveri me kokëfortësinë e saj nuk negocioi këtë marrëveshje me Malin e Zi dhe të sqarojë se pse u tentua që t’i falet ajo pjesë toke Malit të Zi”, tha Ymeri.

Në një skenar të tillë, Ymeri tha se do të ndërmarrin të gjitha format protestuese kundër kësaj marrëveshje.

Se Qeveria nuk do të arrijë ta procedojë demarkacionin, dhe se do të bie të mërkurën me mocionin e mosbesimit, thotë edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Ai u shpreh i bindur kjo Qeveri po numëron dy ditët e fundit pasi të mërkurën do të ecë në shtëpi./Periskopi

Be the first to comment

Leave a Reply