LIMAJ TREGON SE KUR DO T’JU BASHKOHET HARADINAJT E VESELIT NË FUSHATË

Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës, ka hedhur poshtë pretendimet se problemet brenda koalicionit PDK-AAK-NISMA po bëjnë që të tri partitë të bëjnë fushatë ndaras.

Ai ka deklaruar se secila parti fushatën e koncentron tek elektorati i saj, krejt kjo sipas tij pasi që përgjegjësinë fillestare e ka ndaj tij.

“Është hera e parë në Kosovën e pasluftës që ka koalicione të mirëfillta parazgjedhore. I pari i këtij lloji është ai që kohë më parë e kemi ndërtuar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Tash në koalicion jemi tri parti politike, që dallojmë në pika programore, në vizion, në lidership. Edhe me AAK-në neve na është dashur kohë të ambientohemi. Por as me të nuk kemi bërë bashkë fushatë”, ka thënë Limaj.

Limaj ka shtuar se në një moment të caktuar kohor të tre liderët e partive do të bëhen bashkë në fushatë.

“Kjo çfarë po shihet në terren besoj se është ajo që duhet të ndodhë. Është më mirë që po bëjmë fushatë kështu, sepse ne kemi obligime ndaj strukturave tona që të jemi me to. Normalisht, në një moment do të kemi tubim dhe takim të përbashkët”, ka thënë Limaj./Insajderi.com

Be the first to comment

Leave a Reply