Irak, nis ofensiva vendimtare për qytetin e Mosulit

Forcat irakiane njoftuan se kanë nisur tashmë sulmin vendimtar për të rimarrë nën kontroll qytetin e vjetër të Mosulit, rajonin e fundit ende nën sundimin e militantëve të Shtetit Islamik.

Forcat speciale po avancojnë drejt këtij rajoni nga perëndimi, ndërsa policia federale avancon nga fronti jugor, thuhet në deklaratën e forcave irakiane.

Kombet e Bashkuara thonë se rreth 100 mijë civilë besohet të jenë bllokuar në zonën me densitet të lartë popullsie të qytetit të vjetër. Atyre u është thënë të largohen nëse munden nga zona e luftës.

Rreth 230 civilë janë vrarë në perëndim të Mosulit përgjatë dy javëve të fundit, sipas OKB-së, disa prej sulmeve ajrore dhe atyre me raketa, ndërsa disa të qëlluar për vdekje nga snajperët e ISIS-it, teksa përpiqeshin të largoheshin.

Forcat irakiane kanë thënë për BBC-në se nuk e dinë sesa militantë xhihadistë janë brenda qytetit të vjetër. Por rezidentët, të cilët kanë mundur të largohen prej andej kohët e fundit, kanë përshkruar kushtet mizerabël në të cilat jetojnë shumica e njerëzve atje, pa ushqim e pa ujë.

Ofensiva e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara për rimarrjen e Mosulit, qytetit të dytë më të madh të Irakut, tashmë ka hyrë në muajin e tij të 9. Forcat irakiane kanë rimarrë kontrollin e pjesës lindore të qytetit gjatë muajit tetor.

Mijëra forca sigurie irakiane, luftëtarë kurdë “peshmerga”, fise arabo-sunite dhe milici shiite, të ndihmuar nga avionët e koalicionit të udhëhequr prej SHBA-ve dhe këshilltarëve ushtarakë amerikanë, janë të përfshirë në këtë ofensivë.

ISIS e sundon Mosulin prej qershorit të vitit 2014, pas zmbrapsjes së ushtrisë irakiane, e menjëherë pas atij veprimi deklaruan krijimin e kalifatit dhe kontrollin e territorit që shtrihej jo vetëm në Irak, por edhe në Siri.

Be the first to comment

Leave a Reply