Ekskluzive / Danilo Alvesh firmos për Skënderbeun, mbetet vetëm prezantimi

Zgjidhen dilemat për të ardhmen e sulmuesit Danilo Alvesh. Futbollisti brazilian, në sezonin 2017-2018 do të jetë pjesë e klubit të Skënderbeut me të cilin ka arritur akordin dhe do të prezantohet në ditët në vijim.

“Panorama Sport” ka mësuar se futbollisti, i cili u largua nga Flamurtari edhe pse kishte një vit marrëveshje me të, ka hedhur në gjyq vlonjatët dhe pret zgjidhjen e shpejtë të kësaj çështjeje për t’u cilësuar lojtar i lirë. Futbollisti ka paraqitur dokumentacionin e mospagesës së 5 muajve rrogë, akt më se i mjaftueshëm për t’i garantuar atij ndërprerjen e saj pa asnjë penalitet financiar.

Gjatë kësaj kohe, edhe pse është kthyer në Brazil, ai është kontaktuar nga drejtuesit e Skënderbeut, të cilët kanë gjetur gjuhën e përbashkët par sa u përket kushteve financiare me sulmuesin 26-vjeçar. Ndaj ai pritet që në ditët në vijim të udhëtojë drejt Shqipërisë dhe të vihet në dispozicion të trajnerit Daja për sezonin e ri.

Në këtë mënyrë, Skënderbeu do të zgjidhë edhe çështjen e qendërsulmuesit, që ka shqetësuar korçarët që pas largimit të Hamdi Salihit. Me afrimin e Alvesh ata do të kenë përsëri një njëri-gol në repartin e avancuar. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se si do të reagojë klubi i Flamurtarit, ku administratori Idrizi dhe trajneri Duro janë shprehur se presin Alvesh që në ditët e para të grumbullimit.

(Kosova Sot)

Be the first to comment

Leave a Reply