Messi pritet ta rinovojë kontratën pas muajit të mjaltit

Lionel Messi do të nënshkruajë kontratë të re me Barcelonën, pasi të kthehet nga muaji i mjaltit kah mesi i këtij muaji.

Sulmuesi argjentinas, i cili të premten u martua me Antonella Roccuzzon në Rosario, është pritur që të kthehej në Spanjë në fundjavën që vjen, mirëpo e ka zgjatur pushimin e tij deri më 12 korrik.

Pas martesës, Messi dhe Antonela i ndryshuan planet dhe tash janë në muajin e mjaltit së bashku me djemtë e tyre, Thiago dhe Mateo, në ishujt Karaibe të Antiguas dhe Barbudas.

Më 12 korrik, lojtarët e Barcelonës do të kthehen në fushën stërvitore në Sant Joan Despi, për t’iu nënshtruar testeve mjekësore para fillimit të përgatitjeve para-sezonale, ashtu që edhe Messi do të kthehet me bashkëlojtarët tjerë.

Argjentinasi ka kontratë deri në verën e vitit 2018 dhe deri më tani ka hezituar ta rinovojë atë.

Mirëpo, sipas Goal, Messi dhe babai i tij tashmë i kanë sqaruar detajet me Barcën rreth kontratës së re dhe pasi të kthehet nga pushimi do ta nënshkruajë rinovimin.

Kontrata do të jetë valide deri në vitin 2021 me opsionin për ta vazhduar edhe për një sezon tjetër, ndërsa ai do të paguhet 22 milionë euro neto.

 (Kosova Sot)

Be the first to comment

Leave a Reply