A ka deputetë brenda VV-së që do ta votonin PAN-in? Kjo është përgjigja e deputetes

Deputetja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina ka shprehur bindjen e saj se koalicioni PAN nuk i ka votat e mjaftueshme për ta formuar Qeverinë, përndryshe siç tha ajo, Kosova do të ishte tashmë me Kuvend të konstituuar e Qeveri të re. Pantina thotë po ashtu se në Vetëvendosje nuk ka deputetë që do ta votonin PAN-in, por s’do të befasohej po që se ndonjëri nga koalicioni LAA e bën këtë.

Sipas Pantinës, PAN-i po vazhdon të blejë kohë për t’u bërë presione e për të joshur deputetët në mënyrë që ta votojnë atë.

“PAN-i nuk i ka votat e mjaftueshme, përndryshe Kuvendi do të ishte konstituuar. Ata po vazhdojnë me ble kohë, qoftë me presione mbi deputetë të ndryshëm , qoftë me joshje. Po të ishin votat e sigurta, kjo punë do të kishte përfunduar”, tha ajo në një deklaratë për Periskopin.

Sa i përket negociatave Vetëvendosje-LDK, Pantina tha se ato tashmë kanë filluar dhe do të vazhdojnë. Sipas saj, të dy partitë po presin konstituimin e Kuvendit dhe dështimin e PAN-it në themelimin e Qeverisë, në mënyrë që negociatat t’i shpiejnë në nivel ekspertësh, të cilët do ta hartonin planin qeverisës.

Por, sipas saj, paraprakisht duhet të arrihet një marrëveshje politike.

“Bisedimet me LDK-në ato tashmë kanë filluar. Ka pasur takime mes kryetarit Imeri dhe Hoti. Jemi dakorduar që takimet të vazhdojnë. Po presim konstitutimin e kuvendit, në mënyrë që të flasin ekspertët. Megjithëse një marrëveshje politike duhet t’i paraprijë koalicionit”, tha Pantina për Periskopin.

E pyetur se cilët mund të jenë deputetët e shënjestruar nga PAN-i, për “presion e joshje”, Pantina tha se nuk do të besoj që brenda VV-së ka deputetë që do ta votonin PAN-in. Por, nuk do të çuditej nëse brenda LAA-së, do të gjendeshin të tillë.

“Nuk dua të besoj se brenda VV-së ka deputetë që mund të votojnë kandidatin e PAN-it. Edhe pse ka kanadidatë të rinj, ata kanë përqafuar idenë e Vetëvendosjes. Nuk mund të spekuloj për emrat e koalicionit e LAA, por nuk do të isha shumë e befasuar nëse ndonjëri prej tyre votojnë për PAN-in. Sidomos disa që nuk janë njohur në politikë, por në biznes. Ata më shumë e shohin politikën si interes biznesor”, tha Pantina.

Megjithatë, në fund ajo ndau shpresën e saj se edhe brenda koalicionit LAA nuk ka deputetë të tillë, që do ta votojnë koalicionin PAN. /Periskopi/

Be the first to comment

Leave a Reply