„Klubi po sillet keq me mua, dua të largohem nga Arsenali“

Arsene Wenger duhet të përballet me një tjetër problem tek Arsenal. Trajneri francez po bën gjithçka është e mundur për të shmangur largimin e mundshëm të Alexis Sanchez, por tani duhet të përballet edhe me shpërthimin e Lucas Perez, sulmuesi 28-vjeçar i marrë nga “Topçinjtë” sezonin e kaluar.
Ish-lojtari i Deportivo la Coruna ka humbur durimin me Wenger dhe është gati të bëjë valixhet. Pasi është aktivizuar vetëm 11 herë (1 gol i shënuar) në sezonin e kaluar, i ka kërkuar garanci klubit për më shumë hapësira. Përgjigjja ka qenë një gjest aspak elegant që ka çuar te prishja e marrëdhënieve.

Perez ka gjetur një surprizë të pakëndshme kur është kthyer nga pushimet. Në fakt, blerja e Alexandre Lacazette nga Olympique Lyon jo vetëm që do ta bëjë akoma më të vështirë aktivizimin e tij, por e ka bërë të kuptojë se ndodhet te skuadra e gabuar, shkruan Telesport. “Arsenal po sillet shumë keq me mua, – ka deklaruar spanjolli. – Ia kanë dhënë numrin 9 Lacazette pa më pyetur mua. Nuk mund të vazhdoj kështu. Kam dhënë gjithçka, por nuk ka qenë një gjë reciproke. Dua të largohem”.

“Në shkurt kisha mundësinë të shkoja të luaja në Kinë, – ka vazhduar Perez, por nuk më është lejuar. Më kanë premtuar se do të luaja më shumë dhe ka ndodhur e kundërta, jam aktivizuar akoma më pak se më parë. Më kanë mashtruar, kjo është e vërteta. Ëndrra ime është të kthehem te Deportivo. Aty jam i lumtur, do të luaja futboll dhe do të ndihesha i vlerësuar. E di se mund t’i shërbej kombëtares sime dhe Kupa e Botës është shumë afër. Por duhet të luaj me vazhdimësi që të grumbullohem. Duhet të largohem nga Arsenal!”.

(Kosova Sot)

Be the first to comment

Leave a Reply