KQZ’ja planifikon rritjen e pagave

Një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, që e kishte gjetur antikushtetues një qarkore të qeverisë për klasifikimin e vendeve të punës në shërbimin civil, u ka hapur rrugë ndryshimeve në institucioneve të pavarura në vend.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, pas tentimeve të dështuara për të sqaruar me ministritë relevante pavarësinë që i garantohet me kushtetutë institucionit që drejton, i ishte drejtuar Kushtetueses, derisa vendimin e saj e quan si një rikonfirmim të pavarësisë.

Jashari i ka thënë KTV’së se në vazhdimësi, ministritë kanë ndikuar tek institucionet e pavarura, derisa përmend edhe rastin me pakon e ligjeve për të drejtat e njeriut, ku përfshihej edhe Ligji për Avokatin e Popullit.

Një tjetër institucion i pavarur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po planifikon që të rrisë pagat për punonjësit e Sekretariatit.

KTV’ja ka siguruar një formular për regjistrimin e gradave, i miratuar nga KQZ-ja, ku janë propozuar koeficientët e rinj të pagave, me mesatarisht 50 % më shumë, derisa rritjen më të madhe të propozuar e ka Drejtori Ekzekutiv i i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, me 93.50 %.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ’së, ka thënë se veprimet e ndërmarra janë bërë konform aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Përveç KQZ’së e Avokatit të Popullit, institucione të pavarura kushtetuese në Kosovë janë edhe Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, Komisioni për Media dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Be the first to comment

Leave a Reply