Ambasadori i Zvicrës në Kosovë e kujton Oliver Ivanoviqin gjashtë muaj pas vrasjes

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet ka folur lidhur me rastin e përkujtimit të Oliver Ivanioviqit, në gjashtë mujorin e vrasjes së tij. Ai Ivanoviqin e ka cilësuar si një person të fortë dhe të pavarur.

Shumë njerëz, duke më përfshirë edhe mua, e kujtojnë Oliver Ivanoviqin si një person të pavarur dhe të fortë që shprehu mendimet e tij pa marrë parasysh dëmin e mundshëm që do t’i shkaktohej atij. Në një shoqëri demokratike secili duhet të jetë i lirë ta shprehë mendimin e tij dhe të mos ketë frikë se do të vritet për atë veprim. Kanë kaluar tashmë gjashtë muaj që nga vrasja e Ivanoviqit dhe ende nuk dimë se në ç’drejtim po shkon

hetimi. Kjo është veçanërisht e vështirë për familjen e tij, e cila pret që drejtësia të vihet në vend, por është gjithashtu shumë e vështirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë e që mendojnë në mënyrë të pavarur”, ka thënë ai, në deklaratën e tij dërguar mediave.

Vrasja e Ivanoviqit sipas Lebet është një mesazh i tmerrshëm për njerëzit që mendojnë lirshëm dhe që flasin lirshëm.

Kjo dërgon një mesazh të tmerrshëm por të qartë se njerëzit që veprojnë dhe flasin në mënyrë të pavarur mund të shuhen dhe se autorët mund të llogarisin në mosndëshkimin. Policia dhe drejtësia e pashpresë në Kosovë është përforcuar nga heshtja e Beogradit, i cili nisi një hetim mbi këtë çështje pa ndonjë rezultat deri më sot. Sot, pas pjesëmarrjes sime në një ceremoni të vogël në Mitrovicën Veriore, apeloj tek institucionet kompetente që të bëjnë përpjekje shtesë për të hedhur dritë mbi këtë vrasje dhe për t’i dënuar autorët, pasi që veprimet e tilla nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar”, ka përfunduar ai.

Be the first to comment

Leave a Reply