Suksesi nuk arrihet sot për sot!

DUHET SHUMË PUNË PËR TË PASUR SUKSESE

Duhet të marrim ekspertë të huaj

Skuadrat e hendbollit nuk kanë arritur suksesin e dëshiruar në garat ndërkombëtare. Këto skuadra janë larg atyre evropiane, derisa ballafaqohen me shumë vështirësi, si financiare dhe infrastrukturore. Për të pasur sukses në arenën ndërkombëtare gjithashtu duhet të punohet me vite të tëra,  sidomos me gjenerata të reja në të dy konkurrencat

Eliminimi i Shqiponjës nga garat evropiane ishte edhe fundi i skuadrave kosovare për këtë edicion në garat ndërkombëtare në hendboll. Skuadrat nuk po arrijnë rezultatet e dëshirueshme, kurse nuk po mund të maten me ato evropiane, që kanë kushte shumë më të mira. Skuadrat kosovare ankohen se kanë probleme financiare, si dhe me infrastrukturë, derisa kjo po iu pengon edhe në paraqitjet e tyre në garat evropiane, kurse ato evropiane që një kohë të gjatë kanë tejkaluar këto probleme.

Është punuar pak

Megjithatë, për të pasur sukses duhet të punohet shumë, sidomos me gjenerata të reja dhe për vite të tëra. Kështu thotë trajneri i njohur i hendbollit Ismet Jupa. “Paraqitja e Shqiponjës nuk më ka befasuar mua. Ky është realiteti i hendbollit kosovar. Ne nuk po mund të matemi me skuadrat evropiane. Në hendboll është duke u punuar pak, sidomos në konkurrencën e femrave. Duhet të punohet shumë me gjenerata të reja dhe për vite të tëra. Suksesi nuk arrihet sot për sot, por vite të tëra dhe më pas të kërkohet sukses në garat ndërkombëtare. Duhet së paku katër vjet punë me gjenerata të reja”, ka thënë Jupa për “Kosova Sot”. Sipas tij, duhet të vijnë edhe ekspertë të huaj në mënyrë që të rritet cilësia në të dy konkurrencat. “Për momentin, niveli i cilësisë është i dobët tek ne. Duhet të punësojmë ekspertë të huaj që të rritet cilësia te ne. Duhet të ketë një program i qartë për të punuar dhe më pas të kërkojmë suksese në garat ndërkombëtare. Nëse gjendja vazhdon kështu, atëherë do të jetë shumë vështirë. Kjo gjendje nuk po përmirë- sohet, vetëm po rëndohet në sportin kosovar”, ka shtuar tutje trajneri i hendbollit.

Pa funksionuar ligjet, s’ka përparim

Ai ka shtuar se pa funksionuar ligjet është vështirë të dilet nga kjo situatë që ka kapluar sportin kosovar. “Pa funksionuar ligjet është e kotë të gjendet një zgjidhje. Ligji për Sport dhe Donacione duhet të zbatohet, përndryshe do të kemi shumë vështirë. Ka shumë probleme në sportin kosovar. Lojtarët janë pa kontrata dhe nuk marrin paga të mëdha e me rregull. Pa organizim nuk ka zgjidhje. Paramendoni që 17 vjet ka përfunduar lufta dhe nuk funksionon Ligji për Sport. Si të funksionojë sporti normalisht kur nuk ka ligj dhe nuk ka organizim. Të gjithë duhet të kontribuojmë më shumë”, ka theksuar Jupa. Ai shprehet se skuadrat as stërvitjet nuk i zhvillojnë si duhet, e më pas kërkohet sukses me skuadra evropiane. “Nuk kanë kushte as për t’u stërvitur. Jo vetëm ekipet, por edhe Përfaqësuesja e Kosovës kur të grumbullohet stërvitet me -15 gradë celsius. Kjo iu vështirëson shumë punët të gjitha skuadrave të stërviten normalisht dhe më pas kanë vështirësi kur garojnë në arenën ndërkombëtare. Rinia te ne e do sportin e hendbollin dhe ka shumë entuziastë, megjithatë duhet kushte për t’i motivuar dhe jam i sigurt se sukseset nuk do të mungojnë”, ka përfunduar Ismet Jupa.

Be the first to comment

Leave a Reply