Qershorët e shpenzimeve milionëshe për zgjedhje

Zgjedhjet mund të shihen si zgjidhje e krizës politike, por po shkaktojnë shpenzime milionëshe të buxhetit.

Qytetarët e Kosovës pritet edhe kësaj here t’u drejtohen para kohe kutive të votimit.

KQZ-ja miratoi Planin e Buxhetit për organizimin e zgjedhjeve me vlerë prej 4 milionë e 944 mijë e 900 eurove.

Sipas KQZ-së, shuma e planifikuar e mjeteve ka të bëjë me prodhimin e materialit zgjedhor, transportimin e materialit sensitiv dhe josensitiv, trajnimin e Këshillave të Vendvotimit, pagesat për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, pagesat për anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve dhe stafin tjetër ndihmës.

Edhe zyrtarisht, qytetarët e Republikës së Kosovës do të votojnë më 11 qershor për të zgjedhur qeverinë e re.

Presidenti Hashim Thaçi ka caktuar ditën e zgjedhjeve pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit e partive politike në Kosovë.

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka kohë 30 ditë që të bëhet gati për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të këtij viti.

Herën e fundit kur Kosova ka organizuar zgjedhje të parakohshme në qershor 2014 janë shpenzuar mbi 1 milion euro.

Njësoj si tash Hashim Thaçi, atëherë Presidentja Atifete Jahjaga kishte shpallur zgjedhjet me datën 8 maj, ndërsa ato ishin mbajtur me 8 qershor të 2014-ës.

KALLXO.com ka kontrolluar të gjitha aktivitetet e prokurimit të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në periudhën 7 maj deri 9 qershor 2014. Për këtë periudhë, për nevojat e organizmit të zgjedhjeve, KQZ-ja kishte shpenzuar 1 milion e 135 mijë euro.

Këto shpenzime janë llogaritur nga 20 njoftimet për dhënie të kontratës të cilat gjenden në faqen e KRPP-së.

Aktiviteti më i shtrenjtë në 2014-ën që është paguar nga KQZ-ja ka qenë ai i informimit të publikut për zgjedhjet e parakohshme të atij viti.

Plot 358 mijë e 19 euro janë shpenzuar për të njoftuar qytetarët se si të votojnë.

Për shtypjen dhe printimin e fletëvotimeve dhe broshurave KQZ-jaatëherë kishte shpenzuar 180 mijë e 930 euro, Ndërsa për furnizimin dhe shtypjen e formularëve zgjedhorë ishin shpenzuar 90 mijë euro.

E shtypja e dhe printimi i listave përfundimtare të votuesve dhe të listave komunale të votuesve kishte kushtuar 68 mijë e 996 euro.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish kryeministri Hashim Thaçi kishte marrë vendim për aprovimin e kërkesës së KQZ-së për ndarjen e mjeteve buxhetore prej 350 mijë eurove, kur 237 mijë do të shkonin për mallra dhe shërbime dhe 113 mijë euro për paga dhe mëditje.

Raporti i Auditorit për KQZ-në kishte konstatuar se KQZ-ja kishte eliminuar konkurrencën pasi kishte aplikuar procedura të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, dallime në çmime për produktet e njëjta, kishte pranuar shpenzime përtej vlerës së parashikuar të mjeteve, shfrytëzim të shërbime të telefonisë mobile pa kontratë dhe çështje tjera të cekura në këtë raport.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë që shihen si zgjidhje e problemit politik, po krijojnë problem financiar.

Be the first to comment

Leave a Reply