Serbia e ndarë për Haradinajn si kryeministër

Vendimi i partisë kryesore serbe në Kosovë për të mbështetur zgjedhjen e një kryetari të ri parlamenti – gjë e cila me shumë gjasa do të çojë në zgjedhjen e ish-liderit gueril Ramush Haradinaj kryeministër të ri të Kosovës – ka tronditur disa në Serbi.

Vendimi i Listës Serbe për të mbështetur zgjedhjen e Kadri Veselit nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, si kryetar të ri të parlamentit ditën e enjte ka tërhequr reagime të ashpra në Serbi, ngase të djathtët e akuzuan atë dhe Beogradin se po i dorëzoheshin një krimineli lufte.

Zgjedhja e Veselit si kryetar parlamenti do ta lejojë aleatin e partisë së tij nga koalicioni PAN, ish-liderin gueril të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinajn të formojë qeverinë.

Në Serbi, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë tha se ishte ironike që një parti e lidhur aq ngushtë me Beogradin i kishte hapur rrugë mundësisë që Haradinaj të bëhet lideri i ri i Kosovës.

Ajo kujtoi kohën kur presidenti Aleksandër Vuçiq ishte kryeministër, kur ai dhe drejtori i Zyrës së Qeverisë Serbe për Kosovën, Marko Djuric, “e quajtën Haradinajn një vrasës, një gangster dhe një përdhunues që vrau fëmijë”.

“Sot Partia Progresive Serbe në pushtet e Vuçiqit në formën e Listës Serbe do të hyjë në qeverinë e të njëjtit Haradinaj”, shtoi ajo.

Autoritetet serbe e akuzojnë Haradinajn se ka vrarë, përdhunuar dhe torturuar civilë serbë gjatë luftës së përgjakshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia në fund të viteve 1990. Ai mohon t’i ketë kryer këto krime.

Serbia ka kërkuar prej kohësh arrestimin e Haradinajt bazuar në një urdhër- arresti ndërkombëtar. Pasi autoritetet franceze e ndaluan atë, më pas vendosën të mos e ekstradonin ish-guerilin e Kosovës në Beograd më 27 prill, Vuçiq e dënoi vendimin.

Vendimi i Francës ishte “i turpshëm, skandaloz, i paligjshëm dhe mbi të gjitha, politik,” tha Vuçiq .

Pavarësisht kësaj, partia pro-Beogradit në Kosovë- Lista Serbe me nëntë deputetët e saj votoi të enjten për aleatin e Haradinajt, Veselin që ky i fundit të bëhej kryetar i Parlamentit të Kosovës.

Zgjedhja e Veselit ndodhi një ditë pasi liderët e koalicionit të ri qeveritar PAN – Veseli i PDK-së, Haradinaj i AAK-së, Fatmir Limaj i Nismës dhe Behgjet Pacolli i AKR-së – arritën një marrëveshje me Listën Serbe për shumicë të ngushtë në Kuvendin me 120 vende.

Partitë janë munduar të krijojnë një qeveri që prej daljes së rezultatit të përgjithshëm të zgjedhjeve në qershor.

Më vonë të shtunën, sipas raporteve të medias, Lista Serbe ra dakord me PAN-in që të marrë një post të tretë ministror- Ministrinë e Bujqësisë, e cila më parë i ishte caktuar AKR-së së Pacollit.

Lista Serbe gjithashtu do të ketë Ministrinë e Administtrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrinë për Komunitet dhe Kthim.

Kreu i Komitetit për Kosovën të Parlamentit të Serb, Milorad Drecun këmbënguli të enjten se pjesëmarrja e Listës Serbe në qeverinë e re të Kosovës nuk nënkuptonte se ajo mbështet Haradinajn, duke e quajtur vendimin e Listës Serbe “një lëvizje të mirë”.

Megjithatë, nacionalistët e krahut të djathtë në Serbi nuk janë të impresionuar. Partia e djathtë “Dveri” akuzoi Listën Serbe dhe Vuçiqin se e kanë pranuar në mënyrë efektive Kosovën si shtet të pavarur.

“Vuçiq, i cili së fundmi mori përsipër përgjegjësinë e plotë për negociatat mbi statusin e Kosovës, i ka dhënë mundësinë kriminelit të luftës Ramush Haradinaj të krijojë një kuazi-qeveri dhe një kuazi-shtet të Kosovës,” tha Dveri të enjten.

Serbia është zotuar se s’do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Liberalët serbë kanë dhënë një reagim me më shumë nuanca. Lideri i Partisë Liberale Demokratike, Çedomir Jovanoviq, tha se serbët në Kosovë duhet të jenë pjesë e çfarëdolloj koalicioni qeverisës që është atje.

Ai theksoi gjithashtu se Haradinaj shihet ndërkombëtarisht si një figurë e gatshme të arrijë një marrëveshje të qëndrueshme midis Serbisë dhe Kosovës.

Në një koment më për të qeshur, faqja satirike serbe e internetit NewsNet (NjuzNet) botoi të enjten “lajme” duke thënë se Serbia kishte vendosur të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me veten e saj në lidhje me vendimin e serbëve të Kosovës për të mbështetur Haradinajn.

Ky referim ironik ishte për vendimin e qeverisë serbe për të tërhequr ambasadorin e saj nga Franca pasi gjykatat franceze refuzuan të ekstradonin Haradinajn në Beograd./Kallxo.com

Be the first to comment

Leave a Reply