Ekspertët: Kamatat shënuan rënie, të zbuten edhe kushtet e kredidhënies (Video)

Për një kohë të gjatë normat e larta të interesit për kredi kanë qenë një ndër pengesat kryesore për zhvillimin e biznesit, por në vitet e fundit këto norma vazhduan të shënojnë një rënie nga 15 në rreth 7.2 përqind.

Mirëpo, sipas ekspertëve të ekonomisë nevojitet ende një ulje e këtyre kamatave bankare, sepse bizneset dhe qytetarët janë mjaft të interesuara për kredi-marrje.

Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës thonë se rënia e vazhdueshme e normave të interesit në kredi, pasqyron përparimin e vazhdueshëm që ka bërë Banka Qendrore e Kosovës në zhvillimin e infrastrukturës financiare, gjë e cila ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e efikasitetit në lehtësimin dhe menaxhimin e rreziqeve bankare.

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmeti ka thënë se zvogëlimi i normave të interesit në kredi është ndikuar nga niveli i ulët i normave të interesit në depozita e cila në vitin e kaluar ishte 1.2 përqind.

Ai ka lënë të kuptohet se këto norma do të ulen në vazhdimësi.

Profesori në fakultetin ekonomik, Nagip Skënderi ka thënë për KosovaPress se në periudhat e fundit Kosova ka përmirësuar ambientin biznesor të Kosovës dhe mjedisi biznesor tash është më se i favorshëm se sa viteve të kaluara.

Megjithatë, sipas tij, edhe pse janë bërë këto përmirësime në mjedisin biznesor ende nevojitet ose kërkohet prej sektorit financiar që të zbusë kushtet e kredi-dhënies për bizneset, sepse bizneset janë mjaft të interesuara për kredi-marrje,

Ekonomisti dhe biznesmeni Kushtrim Ajvazi ka thënë se bankat po përdorin politika të caktuara, të cilat po koncentrohen te disa biznese me veprimtari të ndryshme, p.sh, sipas tij, këtë koncentrim e kanë te kompanitë prodhuese, ku ofrojnë normat e volitshme të interesit dhe për veç asaj ofrojnë edhe jetëgjatësi të kredisë pak më të volitshme se atë që e ofrojnë bankat tjera.

Ai ka shtuar se biznesi në ditët e sotme nuk mundet të funksionojë pa kredi dhe kjo i ndihmon jashtëzakonisht shumë biznesit për të pasur qasje në financë.

Një rol për uljen e kamatave, sipas tij, e ka luajtur edhe Fondi për Garanci Kreditore.

Ajvazi shpreson se viti 2018, do të jetë një vit më i mirë edhe për biznesin, por në të njëjtën kohë edhe bankat të ofrojnë kushte më të mira për biznesin, për shkak se biznesi vazhdimisht do të ketë nevojë për financa dhe normalisht edhe kushtet e favorshme e bëjnë një biznes për ta pasur një biznes të mirë./KosovaPress/

 

Be the first to comment

Leave a Reply