Jashari për gjashtë gylenistët : Nuk lejohet prangosja në rastet e dëbimit në rrethana normale

Raporti i Avokatit të Popullit për arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq nga institucionet e rendit dhe ligjit të Republikës së Kosovës, tregon se të gjitha të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi janë shkelur.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka deklaruar se që nga momenti i arrestimit dhe më pas deportimit të gjashtë shtetasve turq, institucionet publike kanë bërë shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive të njeriut të garantuara edhe me Konventën Evropiane të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

“Nga momenti i prangosjes dhe arrestimit, fillon vargu i shkeljeve që janë evidentuar në proces edhe të cilat janë shkelje të rënda, siç thash të nenit 5. Sepse neni 5 e rregullon gjithë situatën kur një person i nënshtrohet një arrestimi nga ana e një autoriteti mbi bazën e çfarëdo dyshimi”, ka thënë Jashari, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Sipas Jasharit, problemi tjetër lind në momentin kur institucionet e vendit kanë marrë vendim për dëbim, kurse në fakt sipas tij në praktikë ka ndodhur arrestimi deh ekstradimi.

“Nga familjarët kemi kuptuar se këto vendime asnjëherë nuk u janë dorëzuar këtyre qytetarëve dhe nuk kanë pasur mundësi ankimimi, që gjithashtu Kushtetuta e vendit prapë e thotë, dhe e garanton si mjet juridik efektiv për t`u ankuar në një gjykatë kundër çfarëdo vendimi që nxjerrin autoritete publike. Dhe kjo është mohuar në mënyrë eksplicite në këtë rast dhe këtu s`ka asnjë dyshim. Dhe kjo gjithashtu në vetvete përmban një shkelje të rëndë, por mbi të gjitha është shkelje edhe e ligjeve vendore, sepse ligjet vendore e pranojnë si fakt të mirëqenë mundësinë për të ushtruar një ankesë edhe kjo sigurohet gjatë gjithë procedurës ligjore”, ka deklaruar Avokati i Popullit.

Jashari ka thënë se edhe vendimi për tërheqjen e shtetësisë, por edhe vendimi për dëbimin e shtetasve turq është përcjellë me shkelje esenciale të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve shtetërore të Kosovës. Ai ka thënë se është një fenomen që të gjitha institucionet publike e kanë deklaruar në momentin kur këta persona janë dëbuar nga Kosova edhe të cilët kanë theksuar se në fakt kemi të bëjmë me dëbimin.

“Gjatë analizës sonë, del se në fakt nuk është dëbim, por është ekstradim. Dhe janë koncepte juridike që dallojnë dukshëm. E para ka të bëjë me situatën, kur në mënyrë normale shoqërohet nga autoritetet e vend, pyetet deri në cilën pikë kufitare dëshiron të përcillet, përcillet atje edhe personi pastaj është i lirë nga do që ai e konsideron të përshtatshme”, ka thënë ai.

Jashari ka thënë se në situatën kur autoritetet e shoqërojnë një person, nuk lejohet t`i vendosin prangat.

“Në rrethana normale jo (prangimi) nuk do duhej të ekzistonte që ai person eventualisht mund të paraqesë rrezik, ose sulm ndaj personit zyrtar. Mirëpo, këto rrethana nuk besoj se kanë ekzistuar, sepse ata fillimisht janë arrestuar edhe detyrimisht janë prangosur”, ka deklaruar Avokati i Popullit.

Jashari ka thënë se në momentin kur prangoset një person, kjo përbën obligim për t`u njoftuar prokurori i shtetit, sepse prangat i vendosen dikujt kur është konsumuar vepra penale.

“Nëse vendimet i referohen një procedure të dëbimit e cila është e rregulluar me ligjin për të huajt, mirëpo ne fakt është një aranzhim krejt tjetër, ngase arrestohen e qëllimi i arrestimit ka qenë që t`i dorëzohe4n një autoriteti, ose një organi të një shteti të huaj, për t`u përgjigjur për akuzat e një shteti tjetër përkatës, atëherë unë mendoj se këtu i gjithë procesi ka qenë i gabuar, ose është dashur që të mbulohet me një proces që realisht nuk ka qenë faktik për situatën, sepse i kemi dëgjuar prononcimet zyrtare gjithashtu edhe vendimet të titulluara si të tilla që e theksojnë që kemi të bëjmë fjalë për dëbimin. Edhe ekziston formalisht si urdhër dëbimi për këta qytetarë, ndërsa në anën tjetër siç e thamë është de-fakto edhe de-jure ekstradim”, ka thënë Hilmi Jashari, Avokati i Popullit në intervistën e tij dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

 

Be the first to comment

Leave a Reply