Ivanov dhe partia e Gruevskit do t’i nxjerrin telashe Maqedonisë për emrin e ri

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev i ka dorëzuar presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, por takimi me kreun e shtetit, sipas komunikatës së Presidencës ka zgjatur vetëm dy minuta, ndërsa sipas Qeverisë, takimi është braktisur nga Ivanov duke i pamundësuar kryeministrit dhe shefit të diplomacisë të sqarojnë, siç thuhet, “përfitimet për shtetit nga marrëveshja e arritur”.

“Kryeministri Zaev dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov kishin një përpjekje konstruktive për prezantimin dhe shqyrtimin e përmbajtjes së marrëveshjes, por presidenti Ivanov ka ndërprerë debatin dhe ka braktisur mbledhjen duke refuzuar të bisedohet për përfitimet e kësaj marrëveshjeje historike për të ardhmen e Maqedonisë”, thuhet të komunikatën e Qeverisë.

Ndërkohë, me presidentin është takuar edhe lideri i opozitës, Hristijan Mickovski pasi paraprakisht bëri thirrje për një takim mes tij, kreut të shtetit dhe kryeministrit.

Në një paraqitje para mediave, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se kërkon dokumentin në formën e shkruar, ndërsa duke iu referuar përmbajtjes së asaj të cilën e publikoi të martën kryeministri Zoran Zaev, tha se për opozitën një marrëveshje e tillë është e papranueshme, duke e quajtur “marrëveshje të kapitullimit”.

“Le të gjykojë opinioni maqedonas se me çfarë njeriu kemi punë. Zaev premtonte diçka tjetër, kurse Maqedonisë i sjell marrëveshje kapitullimi. Asnjë fjalë e tij nuk vlen asgjë. Për disa muaj ndryshoi sjelljen e tij duke dëmtuar Republikën e Maqedonisë. Kësaj radhe, çmimin e një kapitullimi të tillë do ta paguajnë qytetarët e vendit. Kjo paraqet disfatë absolute të diplomacisë maqedonase që nuk mund të interpretohet si fitore. Më këtë marrëveshje janë tradhtuar pritjet e qytetarëve të Maqedonisë”, tha Mickovski, i cili më pas është thirrur në një takim edhe nga kryeministri Zoran Zaev për ta njoftuar me detajet e marrëveshjes.

Nga Qeveria mbeten në qëndrimin se marrëveshja garanton të ardhmen e vendit, sikur edhe gjuhën maqedonase, identitetin, sigurimin dhe me këtë perspektivë më të mirë për qytetarët dhe shtetin në përgjithësi.

“Maqedonia para vetes ka një qëllim shumë strategjik, anëtarësimin në NATO dhe BE. Pikërisht anëtarësimi në këto organizata është një nga obligimet e Qeverisë së Maqedonisë pasi jemi të vetëdijshëm se qytetarët këtë e presin, pasi e dinë se anëtarësimi në NATO sjell sigurimin e shumë pritur jo vetëm fizik, por edhe juridik, ekonomik, si dhe prosperitet për qytetarët dhe shtetit”, deklaroi zëvendëskryeministrja Radmilla Sheqerinska.

Partitë shqiptare, nga ana tjetër, i kanë dhënë mbështetje marrëveshjes duke e vlerësuar si hap pozitiv drejt zhbllokimit shumëvjeçar të kontestit të emrit dhe hapjen e rrugës së integrimit euroatlantik të vendit. Partitë shqiptare nuk kontestojnë emrin e ri, për dallim nga i mëparshmi, kur vërejtjet e tyre kryesisht kishin të bënin me gabimet gjatë përkthimit.

Ndryshe, pas Bashkimit Evropian dhe NATO-s, marrëveshja Maqedoni-Greqi është mirëpritur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“SHBA-ja përgëzojn kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras për marrëveshjen historike për zgjidhjen e kontestit për emrin. Zgjidhja do të jetë e dobishme për të dyja vendet dhe do t’i përforcojë sigurinë rajonale dhe progresin. Kryeministrat Zaev dhe Tsipras treguan vizion, guxim dhe angazhim në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme të përbashkët”, thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

 

Be the first to comment

Leave a Reply